Lidhje

Politika amerikane në Azi dhe tensionet me Kinën


Shtetet e Bashkuara nisën një politikë zhvendosjeje të burimeve ushtarake, diplomatike dhe ekonomike në drejtim të Azisë në vitin 2013, por ky veprim u ndikua nga pakënaqësitë mes aleatëve dhe masat gjithnjë e më kategorike të Kinës. Zgjerimi i zonës së mbrojtjes ajrore të vetëshpallur nga Kina shtoi tensionet në rajon.

Udhëtimi në dhjetor i nënpresidentit Joe Biden në Azinë Verilindore kishte për qëllim të siguronte aleatët e SHBA-së, Japoninë dhe Korenë e Jugut, mbi planet amerikane për të shtuar në mënyrë të konsiderueshme përqëndrimin e burimeve në rajon.
Por zgjerimi i papritur i zonës së mbrojtjes ajrore të vetëshpallur nga Kina duke përfshirë zona të diskutueshme mbi Detin e Kinës Lindore ishte tema që dominoi diskutimet.

"Unë isha absolutisht i qartë në emër të Presidentit se ne nuk e njohim zonën. Nuk do të ketë asnjë ndikim tek operacionet amerikane. Mund të pyesni gjeneralin. Asnjë ndikim. Zero. Unë e kam bërë të qartë se ne presim që Kina të mos ndërmarrë masa që rrisin tensionet dhe rrezikun e përshkallëzimit."

Japonia, Korea e Jugut dhe SHBA-ja dërguan në mënyrë sfiduese avionë ushtarakë në hapësirën ajrore të asaj zone, ndërsa Koreja e Jugut zgjeroi zonën e saj të mbrojtjes ajrore të vetëshpallur, që përshinte pjesë të asaj të Kinës Dan Pinkston i Grupit Ndërkombëtar të Krizave argumenton se rreziku i tensioneve si pasojë e zgjerimit të zonës së mbrojtjes ajrore është i ekzagjeruar.

"Nuk është në asnjë mënyrë në interesin e Kinës të ndërhyjë. Natyrisht, bëhet fjalë për lëvizjen e mjeteve fluturuese shtetërore apo avionëve ushtarakë. Mendoj se tani Kina do të pretendojë se ka të drejta ligjore për të ndaluar ose për të ndërmarrë akte armiqësore kundër avionëve të huaj rreth ishujve të diskutueshëm në Detin e Kinës Lindore. Por, a do të donin ata të përshkallëzonin situatën duke u përfshirë në veprime armiqësore? Mendoj se për momentin përgjigja është jo. Dhe nëse do të donin ta bënin një gjë të tillë mund ta bënin gjithsesi pa këto masa të reja."

Si tregues të fuqisë së saj ushtarake, Kina ka lëvizur aeroplanmbajtësen e saj të nxjerrë së fundmi në Detin e Kinës Jugore, ku ka territore të kontestuara me Brunein, Malajzinë, Filipinet Tajvanin dhe Vietnamin.
Gjatë udhëtimit të nënpresidentit Biden në Azi, një luftanije kineze që shoqëronte aeroplanmbajtësen i preu rrugën një raketahedhëseje të
SHBA-së, duke e detyruar anijen amerikane të ndryshonte kurs për të shmangur përplasjen. Për t’iu përgjigjur rritjes ushtarake të Kinës duhen riparuar marrëdhëniet Seul-Tokio, thotë profesor Park Hwee Rhak i Universitetit Kookmin.

"Në situatën aktuale, është e vështirë të pakësohet kërcënimi me dy aleanca të veçanta SHBA–Kore e Jugut dhe SHBA–Japoni. Pra, është e nevojshme të forcohen marrëdhëniet e Koresë së Jugut me Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë përpjekje më aktive. Prandaj mendoj se do të ishte diçka shumë e mirë nëse Presidenti Obama në vizitën e ardhshme do të përqëndrohej tek kontributi i SHBA-së në negocimin e marrëdhënieve më të ngushta midis Koresë së Jugut dhe Japonisë."

Përveç synimit për lidhje më të ngushta me Korenë, Kryeministri japonez Shinzo Abe organizoi në dhjetor një takim të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, si pjesë e një përpjekjeje për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët që e kanë akuzuar Japoninë se nuk ka trajtuar siç duhet çështjen e agresionit të saj gjatë periudhës koloniale dhe Luftës së Dytë Botërore.

Deklarata e përbashkët e takimit Japoni-ASEAN theksoi nevojën për liri të lëvizjes në det dhe ajër, një referencë e tërthortë e shqetësimeve ndaj Kinës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG