Lidhje

Korrupsioni në Azi


Korrupsioni në Azi vazhdon të jetë një pengesë mbi ekonomitë në rritje, duke thithur miliarda dollarë nga zhvillimi ekonomik dhe duke shkaktuar në disa vende një reagim të ashpër publik. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ron Corben nga Bangkoku, janë shtuar thirrjet për reforma si nga sektori privat dhe Kombet e Bashkuara, edhe në kushtet e përmirësimit të perspektivës ekonomike e rajonit.

Kur protestuesit dolën në rrugët e Bangkokut vitin e kaluar, thirrjet ishin të qarta për qeverinë tajlandeze të kryeministrit Yingluck Shinawatra për të zgjidhur problemin në rritje të korrupsionit.

Një afarist 79 vjeçar u ndal tek kostot në rritje të zhvillimit të biznesit, përfshirë rryshfetet për zyrtarët.

“Unë jam industrialist. Nuk mund ta duroj këtë situatë pasi duhet të paguajmë shumë para nën dorë. Më parë, le ta pranojmë, ishte një pesë apo dhjetë për qind. Por tani është minimumi 30 për qind”.

Përllogaritja e humbjeve ekonomike nga korrupsioni është vështirë të bëhet, por një studim i fundit nga universiteti i Dhomës Tregtare tajlandeze arrin në përfundimin se mbi 2 për qind e prodhimit kombëtar apo gati 11 miliardë dollarë ka të ngjarë të harxhohet çdo vit për korrupsion.

Universiteti thotë se shumë kompani të sektorit privat që u anketuan thonë se paguajnë shumë rryshfete tek zyrtarët qeveritarë dhe politikanët për të fituar kontrata shtetërore.

Ekonomisti tajlandez Pasuk Pongpaichit, thotë se edhe pse ka prova që tregojnë se autoritetet po bëjnë përparim në zbutjen e korrupsionit, ekonomia e ngadalësuar globale nënkupton rritjen e konkurrencës për kontratat e majme qeveritare.

“Globalizimi, trysnia ndërkombëtare për Tajlandën për të qënë më transparente po ndjehet dhe disa departamente të qeverisë po përgjigjen ndaj saj. Kjo nuk do të thotë se gjërat mund të ndodhin shumë shpejt. Nga ana tjetër ndërsa ekonomia botërore po ngadalësohet, është shtuar konkurrenca për aktivitetin lokal të biznesit. Shohim në raste specifike se niveli i korrupsionit është shutuar për shkak të konkurrencës së lartë”.

Megjithë rritjen e shpejtë ekonomike gjatë dekadës së fundit shumë vende në Azi ende radhiten ulët në treguesit e luftës kundër korrupsionit. Një raport i fundit i Qendrës së Politikave Ndërkombëtare me seli në Shtetet e Bashkuara thotë se vetëm në peridhën 2001- 2010 në Kinë, 2, 74 trilionë dollar dolën nga vendi përmes skemave financiare të paligjshme, korrupsionit, evazionit fiskal dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme. Për Tajlandën kjo shifër ishte 64 miliardë dollarë gjatë së njëjtës periudhë. Në Indi, qendër e protestave madhore kundër korrupsionit vitin e kaluar, kjo shifër ishte 123 miliardë dollarë.

Këshilltari rajonale në zyrën e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit, Shervin Majlessi, thotë se duke patur parasysh influencën në rritje të Azisë në ekonominë botërore, ka nevojë më të madhe për mbikqyrje.

“Rritja e shpejtë ekonomike që kemi parë në rajon, ofron të njëjat sfida dhe mundësi edhe përsa i përket korrupsionit. Sfida është e qartë pasi ka më shumë burime financiare, kontrata dhe prokurime më të mëdha, kështu që mundësitë për korrupsion rriten e rrjedhimisht lind nevoja për sisteme të fundishme anti-korrupsion”.

Në vitin 2003, OKB-ja miratoi një Konventë kundër Korrupsionit. Në Azinë Jug-Lindore, Birmania e ratifikoi konventën në dhjetor – e fundit në shoqatën me 10 anëtarë të ASEAN-it.

Analistët thonë se lufta kundër korrupsionit duhet të shkojë përtej zbatimit të ligjit të qeverive, dhe të përfshijë organizatat jo-qeveritare dhe sektorin privat.
XS
SM
MD
LG