Lidhje

Babuinët në rrezik ndihmojnë në studimin e ndryshimit të klimës

  • Xho Kapua

Shkecëtarët po studiojnë një lloj të rrallë majmuni afrikan, mbijetesa e të cilit është në rrezik prej ndryshimeve klimatike dhe njeriut. Studiuesit shpresojnë që me anë të së shkuarës së kafshës të jenë në gjendje të zbulojnë informacione mbi efekte të ardhshme të ngritjes së temperaturave.

Emri shkencor i tij është Mandrillus leucophaeus, ose babuin, dhe ai jeton në xhunglat ekuatoriale të Nigerisë, Guinesë Ekuatoriale dhe Kamerunit. Nuk është hera e parë që babuinët përballen me probleme për shkak të ndryshimit klimatik. Profesori i antropologjisë i Universitetit të Oregonit Nelson Ting thotë se rreth 3,000 deri në 5,000 vjet më parë pati një rënie të madhe të popullatës së tyre.

“Gjatë asaj periudhe pati një pakësim dramatik të sipërfaqes të xhunglave, në zonën ku banojnë babuinët. Dhe arsyet e zvogëlimit të xhunglës lidhen me kushte të ngjashme të cilat pritet të shfaqen sërish në të ardhmen në ato zona. Po flasim për një klimë shumë të ngrohtë e kombinuar me një shtim të stinëve dhe me një shtim të thatësirës.”

Në ato kushte bota bimore ndryshon, duke u bërë më e rrallë dhe kushtet atmosferike më të thata. Profesori Ting është autori kryesor i studimit mbi babuinët, që u botua në revistën Ekologji dhe Evolucion.

“Fitimi i më tepër njohurive mbi historinë natyrore dhe ekologjinë do të na ndihmojë patjetër në përcaktimin e prioriteteve të mbrojtjes së një kafshe që me të vërtetë është shumë në vështirësi tani, për shkak të problemeve të ndryshme.”

Rrethanat e tanishme duken shumë të ngjashme me çfarë ndodhi 3,000 deri në 5,000 vjet më parë. Ka zvogëlim të sipërfaqeve të mbuluara me xhungël, temperatura në rritje dhe mot të thatë. Por në atë kohë, popullsia vendase Bantu filloi të largohej nga zona e Nigerisë dhe Kamerunit. Në migrim e sipër, ata nisën të merreshin me bujqësi dhe filluan mësuan shkrirjen e metaleve, çfarë mund të kenë ndikuar në pakësimin e sipërfaqes së xhunglave. Nuk dihet nëse popullsia Bantu i kishin apo jo babuinët pre gjahu, por mishi i kësaj kafshe sot është i çmuar.

“Shqetësimi më i madh në këto momente për babuinët nuk është ndryshimi i klimës. Ai mbetet patjetër një shqetësim për të ardhmen. Por mendoj se gjuetia, tani për tani, është problemi kryesor për babuinët. Nëse ne do të mbrojmë zonat e pyllëzuara të xhunglës, ajo do të çojë në mbrojtje të vendbanimit të babuinëve dhe nëse ne arrijmë të jemi të suksesshëm, atëherë do t’i mbrojmë në këtë mënyrë edhe prej gjuetisë. Kështu ne mund edhe të zbusim efekte të tjera të ndyshimit klimatik në të ardhmen. Kjo do të ishte ideale.”

Profesori Ting thotë se, në fushën e shkencës, çelësi për të tashmen dhe të ardhmen gjendet shpesh në të kaluarën. Shkencëtarët thonë se historia e babuinëve mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë se cili do të jetë fati i xhunglave afrikane, në 100 vitet e ardhme.

XS
SM
MD
LG