Lidhje

Shkarkohet Drejtori i Shërbimeve Sekrete Bahri Shaqiri

  • Armand Mero

bahri shaqiri

bahri shaqiri

Një burim i ambasadës amerikane reagon ndaj vendimit: Koha dhe arsyeja përbëjnë pikëpyetje. Shkarkimi u bë nga Presidenti Nishani pas propozimit të kryeministrit

Në Shqipëri presidenti i Republikës Bujar Nishani firmosi sot dekretin për lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit informativ shtetëror Bahri Shaqiri. Presidenca njoftoi vetëm se shkarkimi ishte bërë pas propozimit të kryeministrit Sali Berisha. Në vend të zotit Shaqiri u emërua Visho Lika, aktualisht zëvendësministër i Teknologjisë dhe Inovacionit dhe ish drejtor i kundërzbulimit në fillim të viteve ’90. Një burim i nivelit të lartë në ambasadën amerikane në Tiranë tha për Zërin e Amerikës se “koha dhe arsyeja përbëjnë pikëpyetje”.

Dy ditë më parë presidenti Bujar Nishani, në detyrë prej më pak se tre javësh, zgjodhi nënkryetarin e KLD, duke propozuar emrin e Elvis Cefës, për të cilin që më parë kishte këmbëngulur shumica në pushtet. Sot zoti Nishani firmosi një tjetër akt të rëndësishëm që lidhet me një nga institucionet kyce të vendit. Ai shkarkoi drejtorin e Shërbimeve sekrete Bahri Shaqiri, i cili mbante këtë detyrë që prej shumë vitesh. Presidenca shpërndau vetëm një njoftim mjaft të shkurtër ku shpjegonte se zoti Nishani kishte firmosur dekretin pas propozimit të kryeminisrit Sali Berisha.



Marrëdhëniet e kryeministrit Berisha me drejtorin e Shërbimeve sekrete duket se nuk kanë qenë ndonjëherë të mira. Në 2010 shumica ndërmorri një nismë për ndryshimin e ligjit për shërbimet sekrete e cila u pa më tepër si një përpjekje e tërthortë për të spostuar zotin Shaqiri duke përcaktuar një mandat kohor për kreun e Shërbimit Informativ. Por qeveria u tërhoq në momentin e fundit, pas një presioni të hapur të Shteteve të Bashkuara dhe të Natos të cilat këmbëngulën që të mos prekej Shaqiri.

Së fundi, ndërsa kishin nisur ethet për zgjedhjen e presidentit të ri edhe ambasadori amerikan Alexandër Arvizu deklaroi se për Shtetet e Bashkuara, Kreu i shtetit është mjaft i rëndësishëm edhe për shkak të kompetencave mbi emërimin e drejtorit të Shrbimeve sekrete dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Shkarkimi i sotëm i zotit Shairi duket se ka befasuar ambasadën amerikan. Burime të një niveli të lartë në këtë ambasadë i thanë zërit të Amerikës se e kishin mësuar lajmin nga mediat duke shtuar se “koha dhe arsyeja e këtij vendimi përbëjnë pikëpyetje”.

Në vend të zotit Shaqiri është emëruar zoti Visho Lika, aktualisht zëvendësministër i Inovacionit dhe Teknologjisë. Zoti Lika ka mbaruar fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe është angazhuar për një kohë të gjatë në fushën e sistemeve elektronike dhe kompjuterike. Në fillim të viteve ’90, ai ka shërbyer si drejtor i kundërzbulimit të huaj në shërbimin sekret të asaj kohe. I lidhur me partinë demokratike, zoti Lika emigroi jashtë vendit pak pasi në pushtet erdhën socialistët, për t’u rikthyer në Shqipëri pas vitit 2005.

Reagim të ashpër pati pasdite edhe kryetari socialist Edi Rama i cili ka konsideruar të turpshëm vendimin e presidentit Nishani. “Për llogari të kryeministrit, Presidenti zëvendesoi Drejtorin e Shërbimit Sekret me një shërbëtor të Saliut njësoj sic është dhe vetë”, shkruan zoti Rama duke shtuar se “ky vendim i Presidentit është akti më ekzemplar i varësisë së tij nga Kryeministri e do të sjellë pasoja negative për jetën politike e institucionale”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG