Lidhje

Debati mes kandidatëve për nënpresident mjaft i nxehtë


Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, i bëri thirrje Kongresit me shumicë republikane, përfshirë edhe rivalin e tij, kongresistin Pol Rajan, t’i hapin rrugën administratës Obama të rregullojë ekonominë.

Në debatin e zhvilluar në një kolegj të vogël në Këntaki dhe të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni, zoti Bajden fajësoi republikanët për recesionin ekonomik të vendit.

"Ata flasin për këtë recesion të madh sikur të ketë rënë na qielli duke thënë ‘O zot, nga na erdhi ky’? Na erdhi nga një njeri që pagoi për dy luftëra me kartë krediti”.

Rajan u kundërpërgjegj se Presidenti Barak Obama dhe Kongresi demokrat erdhën në fuqi në vitin 2008, duke qënë e vetmja parti në kontroll dhe bënë çfarë deshën. Ai theksoi se administrata u tha amerikanëve se nëse do të miratohej paketa stimuluese, ekonomia do të rritej me katër përqind, por ajo po rritet vetëm me 1.3 përqind.

Në diskutimin për politikën e jashtëme, nënpresidenti Xho Bajden e quajti tragjik sulmin kundër ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Libi dhe premtoi se çfardo gabimi që të jetë bërë muajin e kaluar nuk do të përsëritet më në të ardhmen.

Kandidati republikan për nënpresident, Pol Rajan, kritikoi ashpër administratën Obama se nuk kishte garantuar mjaft siguri në Bengazi dhe se iu deshën dy javë që të pranonte se ky ishte një akt terrorist.

“Ambasadori ynë në Paris ka një roje të marines që e mbron. A nuk duhet të ketë edhe ambasadori ynë në Bengazi të njejtën roje, kur ne e dime se atje vepron një celulë e armatosur e Al-Kaidës?”

Nënpresidenti argumentoi se Presidenti Barak Obama nuk ishte informuar se konsullata kishte nevojë për më shumë siguri.

Për Iranin, zoti Rajan tha se Republika Islamike është bërë e papërmbajtur sepse administata Obama nuk ka besueshmërinë e duhur për çështjen e programit bërthamor të Iranit. Bajdën iu kundërvu kësaj akuze, duke thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë vënë sanksionet më të rënda Iranit në historinë e tij.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden dhe kandidati republikan për nënpresident, Pol Rajan, po përpiqen të bindin votuesit se cila dyshe do të jetë më e mirë për të udhëhequr Amerikën në të ardhmen, në debatin e vetëm mes tyre para zgjedhjeve të nëntorit.

Debati i tansmetuar drejtpërdrejt nga televizioni amerikan zhvillohet ndërkohë që kandidati republikan, Mit Romni, po avancon në anketat e opinionit pas paraqitjes shumë të mirë të javës së kaluar me Presidentin Barak Obama.

69-vjeçari Bajden njihet si debatues me përvojë dhe politikan i aftë për 36 vjetët e shërbimit të tij në Senat, para se të bëhej nënpresident në vitin 2009. Pritet që ai ta ndihmojë fushatën Obama të kapërcejë paraqitjen e presidentit në debat javën e kaluar. Por zoti Bajden njihet gjithashtu si bën hera herës gabime në deklaratat e tij publike.

42-vjeçari Rajan, kongresist nga Uiskonsini, konsiderohet një yll në ngritje në Partinë Republikane, por ai ka më pak përvojë në skenën kombëtare se sa nënpresidenti Bajden.
XS
SM
MD
LG