Lidhje

Bakri shkaktari i Alcajmerit


Shkencëtarët thonë se bakri mund të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjes së Alcajmerit, një çrregullim i trurit që shkakton humbjen graduale të funksionimit të trurit dhe përfundimisht vdekjen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Berman njofton.

Sëmundja e Alcajmerit është shkaku kryesor i demencës, humbjes së funsionimit të trurit, në mbarë botën mes njerëzve mbi 65 vjeç. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Alcajmerit, pothuajse 36 milion njerëz jetonin me demencë në mbarë botën në vitin 2010, dhe numri është parashikuar të rritet në 115 milionë deri në vitin 2050.

Alcajmeri shkaktohet nga akumulimi toksik i një proteine të quajtur “amyloid beta”. Ajo formon pllakëza në tru që janë shenjat dalluese të sëmundjes. Por mekanizmi i depozitimit së kësaj proteine është i panjohur ende.

Tani hulumtuesit kanë arritur në përfundimin se një nga nxitësit kryesorë natyralë të sëmundjes së Alcajmerit duket të jetë bakri, një metal i rëndësishëm që ndodhet në mish, fruta dhe zarzavate, si edhe në ujin e pijshëm. Bakri luan një rol të rëndësishëm në përçueshmërinë nervore, rritjen e kockave dhe sekrecionin e hormoneve.

Rashid Deane është professor i neurokirurgjisë në qendrën mjekësore të Universitetit Rochester në Nju Jork. Sipas tij, bakri akumulohet në trurin e atyre që kanë Alcajmer, duke kontribuar në mbledhjen e “beta amyloid-it”, e cila në individët e shëndetshëm normalisht pastrohet nga nga një proteinë tjetër e quajtur LRP1, e që zoti Deane e krahason me një kamion mbeturinash.

“Duket se tek kafshët që kanë marrë bakër dhe që po plaken, kapaciteti për ta eliminuar amiloidin toksik nga truri pakësohet pasi nuk ka aq shumë kamion mbeturinash, le të themi, për t’i hequr ato”.

Hulumtuesit e drejtuar nga zoti Deane u dhanë ujë të fortifikuar me bakër minjëve për tre muaj. Shkencëtarët zbuluan se bakri në gjak hyri në muret e kapilarëve që mbrojnë trurin nga helmet.

Me kalimin e kohës, thotë zoti Deane, bakri rrëzoi të ashtuquajturat barriera të gjakut në tru, që ndalojnë substancat e dëmshme dhe dëmtoi trurin. Hulumtuesit citojnë të njëjtin efekt tek qelizat njerëzore të trurit.

Misteri është se përse bakri grumbullohet në trurin e disa individëve, duke shkaktuar potencialisht sëmundjen e Alcajmerit, dhe jo tek të tjerët.

Zoti Deane thotë se ata që preken nga sëmundja e Alcajmerit janë në rrezik për shkak të gjenetikës së trashëguar si dhe pamundësisë së organizmit të tyre për të parandaluar dëmtimin e qelizave. Dhe pastaj vjen ndikimi i jetës moderne.

“Njerëzit jetojnë në vende të ndryshme gjatë jetës së tyre, hanë dhe provojnë gjëra të ndryshme. Disa janë të kujdesshëm për ato që hanë dhe i dinë vlerat ushqyese të atyre që hanë. Pra ky mund të jetë një komponent i rëndësishëm”.

Për arsye se bakri ndodhet në çdo gjë, studiues të tjerë thonë se sasitë e vogla të tij nuk ka të ngjarë të shkaktojnë sëmundjen e Alcajmerit. Një artikull mbi rolin e mundshëm të bakrit në sëmundjen e Alcajmerit është botuar në revistën Proceedings of the National Academy of Science.
XS
SM
MD
LG