Lidhje

Bakteriet rezistente ndaj antibiotikëve

  • Zëri Amerikës

Bakteriet rezistente ndaj antibiotikëve

Bakteriet rezistente ndaj antibiotikëve

Kompanitë farmaceutike po përpiqen të prodhojnë antibiotikë të rinj dhe më të efektshëm për të luftuar bakteriet rezistente ndaj ilaçeve të sotme. Do t’ju njohim me rreziqet që i kanosen shëndetit publik dhe përpjekjet e kompanive farmaceutike për të sjellë në treg antibiotikë të rinj.

Ekspertët mjekësorë që ndjekin me kujdes shtimin e bakterieve rezistente ndaj ilaçeve janë alarmuar kohët e fundit. Ata thonë se infeksionet që përbëjnë rrezik për jetën mund të përhapen në pavionet e kirurgjisë, në qendrat e trajtimit të kancerit, të transplantimit të organeve dhe në shumë procedura të specializuara mjekësore.

Disa madje paralajmërojnë, se në se brenda disa vjetëve nuk prodhohen ilaçe të reja anti-bakteriale, miliarda njerëz do të mbeten thuajse pa mbrojtje ndaj infeksioneve vdekjeprurëse.

Këto shqetësime e kanë nxitur Shoqatën amerikane të Sëmundjeve Infektive të bëjë thirrje për prodhimin e 10 antibiotikëve të rinj deri në vitin 2020, një nismë që ky grup e quan “10 deri më 20”.

“Nisma “10 deri më 20” është sfida e shoqatës sonë ndaj komunitetit botëror, për të bashkuar specialistët dhe zyrtarët e duhur. Ata duhet të jenë përfaqësues të qeverisë, industrisë, akademikë, formulues të politikave, të cilët të diskutojnë për të gjetur kombinimin e stimujve të nevojshëm për motivimin e kompanive që duan të prodhojnë antibiotikë të rinj. Ata po ashtu duhet të gjejnë mënyra të reja për menaxhimin e këtyre produkteve me kalimin e kohës.”

Ekspertët thonë se pikërisht tani është momenti i duhur dhe se në se nuk fillojnë tani përpjekjet, sëmundjet e rrezikshme të çrrënjosura vite më pare, mund të rikthehen.

Thomas Friden, drejtor i Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shprehu shqetësimin e tij para ligjvënësve në Kongresin amerikan.


“Në se nuk marrim masa për bakteriet rezistente ndaj antibiotikëve, mund të vijë një ditë kur të mos kemi asnjë antibiotik për të luftuar infeksionet.”

Studime të kohëve të fundit kanë treguar se kanë mbetur një numër shumë i vogël antibiotikësh që veprojnë kundër infeksioneve vdekjeprurëse të shkaktuara nga bakteriet rezistente, si ajo e Stafilokokut, p.sh., që është bërë rezistente ndaj Meticilinës, ose bakteria Klebsiella, që shkakton penumoninë, që është bërë rezistente ndaj antibiotikut Carbapenem.

Që nga viti 2002, në spitalet amerikane janë njoftuar 2 milionë raste infektimi me Stafilokok. Barry Einsenstein, nënpresident i kompanisë farmaceutike amerikane “Cubist”, thotë se sistemi rregullator federal dhe tregu nuk i favorizojnë kompanitë farmaceutike në përpjekjet e tyre për prodhimin e antibiotikëve.

“Shpenzimet dhe vështirësitë në kryerjen e këtyre provave për sëmundjet më të rëndësishme janë vështirësuar së tepërmi, prandaj shumë nga kompanitë e mëdha kanë hequr dorë nga kërkimet në fushën e antibiotikëve, ngaqë mendojnë se është një investim pa vlerë.”

Disa drejtues kompanish thonë se fitimet nga investimet e bëra për prodhimin e antibiotikëve të rinj janë shumë më të vogla se sa ato për ilaëe të tjera të reja.

“Kur është fjala për ilaçet për uljen e kolesterolit, ato sjellin 5 deri në 10 miliardë dollarë të ardhura në vit. Ndërsa një antibiotik, në se realizon të ardhura prej gjysëm miliardi, mund të cilësohet sukses.”


Zoti Einsenstein thotë se nxitja për të prodhuar një “ilaç perfekt”, i cili të jetë edhe i sigurtë, edhe i efektshëm, pa dyshim, e ka ngadalësuar ritmin e daljes së antibiotikëve të rinj në treg. Për t’i tërhequr kompanitë farmaceutike të prodhojnë përsëri antibiotikë, zoti Einsenstein thotë se duhen bërë dy gjëra.

“E para është rreziku i sistemit rregullator, pra duhen pakësuar vështirësitë e mëdha për miratimin nga qeveria të një ilaçi të ri, procesi duhet të përfundojë më shpejt. Së dyti, në aspektin ekonomik, kompanitë duhet të kenë stimuj më të mëdhenj për të përballuar atë që ne e quajmë dështim në treg”.

Kompanitë farmaceutike theksojnë se për antibiotikët më të rinj, zakonisht mjekët i japin më me kujdes recetat dhe ato përdoren më rrallë, që do të thotë shitje më të ngadalta dhe më pak fitime për kompanitë që i prodhojnë ato.

Megjithatë, ekspertët e shëndetit publik thonë se një antibiotik i ri sapo është miratuar për përdorim në Shtetet e Bashkuara dhe se ata shpresojnë që objektivi ambicioz për të prodhuar 9 antibiotikë të tjerë deri në vitin 2020 mund të arrihet.

XS
SM
MD
LG