Lidhje

Balili, zhdukur pa lënë gjurmë


Ish Drejtori i Transporteve në Sarandë, Klement Balili, i cili dyshohet të jetë sipas policisë greke, koka e një organizate kriminale me veprimtari në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dyshohet se është zhdukur pa lënë gjurmë. Burime të policisë thanë sot se ata nuk e kanë gjetur Balilin në banesën e tij në një fshat të Delvinës, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij.

Largimi i tij ngre dyshime të shumta mbi rolin e autoriteteve shqiptare. Policia refuzoi të komentonte publikisht se përse nuk po arrestohej, ndërkohë që mësohet se një kërkesë e saj ishte refuzuar nga Prokuroria sipas së cilës, nga hetimi nuk kishin dalë prova për veprimtari të paligjshme në Shqipëri, e se për këtë arsye ishin kërkuar materiale nga pala greke. Mediat e këtij vendi në fajt kanë aluduar se Balili gëzonte mbështetje të forta politike.

Balili ishte emëruar në detyrën që mbante deri dje, si një propozim i LSI-së. Ish -deputeti i Sarandes Koço Kokëdhima tha përmes rrjetit social facebook se Balili , “në këtë detyrë është propozuar dhe vendosur nga LSI”. Drejtoria e Transportit varet nga Ministria e Transportit e drejtuar nga një ministër i LSI-së.

Në tetor të vitit 2013, pak muaj pas zgjedhjeve parlamentare kur Aleanca Rama-Meta erdhi në pushtet në shtypin shqiptar u publikua një vendim i aleatëve në nivelin lokal në Sarandë.Sipas këtij vendimi, LSI-merrte pesë nga drejtoritë kryesore ku mes tyre ishte edhe Drejtoria Rajonale e Kontrollit të Automjeteve. Zoti Kokëdhima përmend edhe nipin e Balilit, i cili u zgjodh vitin e kaluar si kryetar I Bashkisë së Delvinës nën siglën e Lëvizjes socialiste për integrim, ndërkohë që po sipas ish deputetit socialist, një tjetër vëlla i Balilit, ishte koordinator i LSI-së për Delvinën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG