Lidhje

Në Tiranë selia e Fondit për Ballkanin

  • Armand Mero

Vendet e rajonit ngrejnë një strukturë të përbashkët për nxitjen e procesit të integrimit europian, mbështetur në modelin e Grupit të Vishegradit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vendosur që për të nxitur dhe përshpejtuar integrimin europian të rajonit të ndjekin modelin e vendeve të Grupit të Vishegradit. Në fillim të viteve ’90, Cekia, Sllovakia, Poloniadhe Hungaria, i dhanë jetë një nisme të përbashkët e cila synonte pikërisht anëtarësimin e tyre në grup në Bashkimin europian. Ata krijuan dhe një fond të posacëm, model i cili do të zbatohet dhe nga vendet e rajonit.

Sot në përfundim të një takimi në Bratislavë, mes ministrave të jashtëm të vendeve të Grupit të Vishegradit dhe atyre të Ballkanit perëndimor, u ra dakort që selia e Fondit për Ballkanin perëndimor të jetë në Tiranë. Në takim mori pjesë dhe Përfaqësuesja e Lartë e ardhshme e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini.

Shqipëria arriti të merrte konsensusin e të gjitha vendeve të Ballkanit. Propozimi i saj konkurroi deri në fund me ofertën e Malit të Zi i cili kërkonte që Fondi të kishte zyrat e tij në Podgoricë. Falë negociatave me autoritetet malazeze, Podgorica tërhoqi kandidadurën e saj në këmbim të mbështetjes së Shqipërisë që posti i Drejtorit të Fondit për Ballkanin perëndimor t’i besohet asaj. Fondi do të ketë edhe një zëvendësdrejtor si dhe një specialist, që të gjithë me status diplomatik.

Secili nga vendet e Ballkanit perëndimor do të kontribuojë cdo vit me 30 mijë euro, ndërkohë që 100 mijë euro do të jepen nga Fondi i Grupit të Vishegradit, i cili do të ofrojë edhe ndihmë me ekspertë të tij për ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni. Ndërkohë vendet anëtarë do të punojnë edhe për thithjen e donacioneve të tjera që mund të tërhiqen nga shtete, organizata ndërkombëtare, por edhe nga donatorë të fushave të ndryshme.

Përdorimi i fondeve të Ballkanit Perëndimor, do të synojë nxitjen e bashkëpunimit rajonal, nëpërmjet mbështetjes financiare të projekteve të vogla në fusha të ndryshme bashkëpunimi rajonal, kryesisht në fusha të tilla si arsimi, shkëmbime të të rinjve, në njohjen e kulturave reciproke, të fushës së artit, në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkencës, të sportit, turizmit, apo dhe medias.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG