Lidhje

Përmbytje masive në Ballkan


Më shumë se 20 vetë në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë kanë vdekur dhe mijëra të tjera janë zhvendosur nga përmbytjet më të rënda që kanë goditur Ballkanin prej më shumë se një shekulli. Përpjekjet ndërkombëtare për dërgimin e ndihmave tashmë kanë filluar. Sot në Beograd mbërritën aeroplanë rusë për transportimin e mallrave, për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave në Serbi, Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Ekspertët paralajmëroinë se numri i të vdekurve do të rritet, ndërkohë që autoritetet po përballen me pasojat e rreshjeve të mëdha të shiut në rajonin e Evropës qendrore dhe jugore.

Zyrtarët thanë dje se pamjet nga ajri tregonin thuajse një të tretën e Bosnjes, përfshirë shtëpi, rrugë dhe linja hekurudhore, të mbuluara me ujë, duke prekur rreth 1 milion njerëz.

Mijëra njerëz u vendosën nëpër shkolla dhe kazerma të ushtrisë, pasi u evakuuan nga shtëpitë e tyre në pjesët e vendit të goditura nga përmbytjet më të rënda në një shekull në këtë zonë.

Shiu dhe vërshimet shkaktuan rrëshqitje të dheut, përmbytën shtëpitë, rrugët dhe fshatra të tërë.

Disa fshatra rreth qytetit të Zenicës njoftohet se janë shkatërruar plotësisht nga rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet.

Banorët janë evakuuar nga zonat e përmbytura me helikopterë dhe janë strehuar në kazermat e ushtrisë në Zenicë.

Shumë banorë, si Zlata Ahmetspahiç, kanë humbur shtëpitë e tyre të rindërtuara pas luftës së viteve 1990 në Bosnje.

"Kam humbur çdo gjë, kam humbur shtëpinë në të cilën kam jetuar. Çdo gjë është shkatërruar", thotë Zlata Ahmetspahiç.

Presidenti i Kryqit të Kuq boshnjak është i shqetësuar se nuk do të ketë mjaft vullnetarë dhe ndihma për të ndihmuar njerëzit e prekur nga përmbytjet.

"Njerëz nga të gjitha anët na kanë telefonuar për të ofruar ndihmë. Shpresoj që kjo të vazhdojë në dy ditët e ardhshme, kur njerëzit në zonat e prekura vërtetë do të kenë nevojë për ndihmë. Shpresoj që do të jetë reagimi i duhur ndaj kësaj tragjedie ".

Më shumë se 16 mijë njerëz janë evakuuar nga rajonet e prekura nga përmbytjet në Serbi gjatë tre ditëve të fundit. Shumica e tyre janë vendosur nëpër shkolla dhe salla sporti.

"Ne në qendër të Obrenovacit menduam se e kishim mjaft keq sepse nuk kishim parë gjendjen në pjesët e tjera të qytetit. Vetëm atëherë kur u evakuuam arritëm të shihnim sasinë e ujit në pjesët e tjera të qytetit dhe e kuptuam se ne ishim me fat",thotë Mirjana Seniç.

Punëtorët e termocentralit Nikola Tesla në Obrenovac u evakuuan sot, ndërkohë që përmbytjet në rajon kërcënojnë stacionin më të madh të prodhimit të energjisë elektrike në Serbi.

Prodhimi i energjisë në këtë termocentral tashmë është pakësuar pasi një minierë qymyrguri aty pranë u përmbyt dhe autoritetet u bënë thirrje banorëve që të kursejnë energjinë për të shmangur ndërprerjet e mëdha.

Një ekip slloven i kërkim shpëtimit shkoi në Obrenovac për të ndihmuar në mbrojtjen e termocentralit ndërkohë që lumi Sava, i cili kalon pranë termocentralit, sonte pritet të krijojë një valë tjetër përmbytjesh.

Autoritetet thonë se 25 njerëz kanë vdekur nga përmbytjet dhe paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet.

Dhjetëra mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
XS
SM
MD
LG