Lidhje

Baltimorë: Kthehet normaliteti


Të mërkurën u duk sikur në Baltimorë u kthye normaliteti i jetës: shkollat u rihapën dhe autoritetet deklaruan se gjendja në qytet është e sigurtë, dy ditë pas zhvillimit të protestave, që shpesh u shoqëruan edhe me plaçkitje.

Punonjësit u kthyen në punë dhe Orkestra Simfonike e Baltimorës dha një koncert falas në mesditë në qiell të hapur, nën ndiçimin e rrezeve të diellit. Dy ekipe bejsbolli, “Orioles” i qytetit dhe “White Sox” i Çikagos, u përgatitën të zhvillojnë një ndeshje të planifikuar për pasdite, por pa tifozë në stadium, ngaqë zyrtarët vazhduan të marrin masa paraprake në rastin e ndonjë trazire tjetër.

Guvernatori i Merilendit, Larry Hogan, tha "qyteti nuk është i sigurtë". Ai shtoi se gjendja e ndalim-qarkullimit e vendosur gjatë natës i ka qetësuar tensionet pas trazirave të së hënës, protestave, plaçkitjeve dhe zjarrit të vënë në lagjet e varfëra të qytetit, por ai nuk parashikoi se kur do të hiqet plotësisht gjendja e ndalim-qarkullimit.

Policia e qytetit raportoi se “Baltimora është e qëndrueshme”. Vetëm 10 persona u arrestuan gjatë natës së parë të ndalim-qarkullimit prej 7 orësh, kur trupat e Gardës Kombëtare i shpërndanë protestuesit, edhe pse disa prej tyre i qëlluan me shishe.

Banorët e qytetit dolën nëpër rrugë të hënën dhe të marten, për të protestuar lidhur me vdekjen e 25 vjeçarit afrikano-amerikan Freddie Gray ndërsa ishte i ndaluar nga policia.

Tensionet gjatë natës mes policisë dhe protestuesve u shfaqën për pak kohë në këtë lagje të Baltimorës të martën.

Një grup i vogël protestuesish nuk iu bindën ndalim-qarkullimit pas orës 10 të mbrëmjes, dhe qëlluan policinë me shishe dhe sende të tjera.

Një orë pasi filloi ndalim qarkullimi në rrugët e qytetit nuk kishte më protestues. Gjatë gjithë ditës në qytetet pati protesta të shumta paqësore.

Në të njëjtën lagje ku grabitësit të hënën në mbrëmje i vunë zjarrin një farmacie, ishte të martën skenë e demonstratave paqësore.

Organizatorët dhe banorët thanë se kërkojnë të tregojnë një anë tjetër të Baltimorës, ndryshe nga ajo e shkatërrimeve që ndodhën një ditë më parë.

"Kjo është lagja jonë. Është shtëpia jonë. Ne mbrojmë, nuk shkatërrojmë. Ne jemi këtu të ndërtojmë e të rritemi. Kemi për t’u dhënë shëmbullin tonë më të vegjëlve. Si mund të veprojmë ndryshe? Çfarë lloj historie do t’u lemë brezave të ardhshëm, në se lejojmë një gjë të tillë?" thotë Robert Valentine.

Përveç farmacisë së djegur, një zjarr masiv që filloi të njëjtën natë të protestave është ende nën hetim.

"Hera e fundit që kam ndjerë këtë erë ishte në vitin 1968. Isha fëmijë. Dhe vjen e njëjta erë, erë e dhimbjes dhe e vuajtjes. Ajo ta copton zemrën. Të shohësh këtë ndërtesë, apo mbarë qytetin, sheh dhimbje; sheh vuajtje; sheh thirrje për ndihmë", thotë një banor.

Grumbullimet pritet të vazhdojnë ndërsa banorët presin publikimin nga policia e Baltimorës të premten të informacioneve më të hollësishme rreth vdekjes së Freddie Gray-t.

Ndalim qarkullimi do të vazhdojë deri javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG