Lidhje

Baltimore, trupat e Gardës Kombëtare zënë pozicione


Përleshjet e dhunshme dhe plaçkitjet e dyqaneve pasuan ceremoninë e varrimit të një afrikano-amerikani që vdiq në arrest policor

Zyrtarët e policisë në Baltimore njoftuan se trupat e Gardës Kombëtare po zënë pozicione në disa pjesë të këtij qyteti lindor të SHBA.

Dje, protestuesit e dhunshëm e zhytën në kaos një pjesë të qytetit, duke djegur një farmaci, duke u vënë zjarrin makinave të policisë dhe duke hedhur tulla në drejtim të policëve.

Trazirat filluan të hënën, vetëm pak orë pas funeralit të afrikano-amerikanit 25-vjeçar Freddie Gray, i cili vdiq nga një dëmtim ende i pashpjegueshëm i shtyllës kurrizore, gjatë kohës që ndodhej nën arrest policor në fillim të këtij muaji.

Guvernatori i shtetit Maryland, Larry Hogan, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe aktivizoi Gardën Kombëtare për të ndihmuar në rivendosjen e rendit. Ai e nënshkroi urdhrin të hënën mbrëma me kërkesë të qytetit Baltimore.

Në një konferencë shtypi po mbrëmë, kryetarja e bashkisë së qytetit Stephanie Rawlings-Blake e quajti këtë "njërën nga ditët më të errëta" me të cilat është përballur ndonjëherë qyteti.

Ajo tha se në Baltimore po vendosej ndalim-qarkullimi pasi disa “vandalë” po përpiqeshin të shkatërronin qytetin dhe të nxisnin dhunën. Ndalim-qarkullimi hyn në fuqi të martën, duke filluar nga ora 10 e mbrëmjes e deri në 5 të mëngjesit dhe pritet të vazhdojë një javë.

Gjatë përplasjeve të së hënës, të paktën 15 policë pësuan dëmtime dhe rreth 20 persona u arrestuan. Qindra të rinj sulmuan policinë me gurë, tulla, shishe dhe objekte të tjera.

Sipas autoriteteve, dy policë janë shtruar në spital.

Pamjet televizive tregonin të paktën një makinë policie në flakë dhe turma njerëzish që plaçkisnin dyqane.

Në fillim, policia tregoi përmbajtje, por pastaj filloi të arrestojë njerëz dhe përdori spërkatësit me piper kundër protestuesve.

Pasdite vonë, shkollat, bizneset dhe stacionet e trenit filluan të mbyllen në këtë qytet me 662,000 banorë, që ndodhet 64 kilometra nga kryeqyteti Uashington.

Zjarret në disa pjesë të qytetit vazhdonin gjatë orëve të vona të natës.

TRAZIRAT PASUAN FUNERALIN E GRAYT

Trazirat pasuan ceremoninë e varrimit të Grayt, familja e të cilit bashkë me pastorët dhe zyrtarët e qytetit, bënë thirrje për demonstrata paqësore pas disa lëndimeve dhe arrestimeve që ndodhën në protesta gjatë fundjavës.

Mijëra u mblodhën në kishë për të nderuar Grayn, vdekja e të cilit është edhe një nga incidentet që ka nxitur pikëpyetje lidhur me bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve dhe policisë në Shtetet e Bashkuara.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe i përndershmi, Jesse Jackson dhe ligjvënësi nga Maryland Elijah Cummings, qarku i të cilit përfshinë edhe Baltimorën. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se sekretari I kabinetit Broderick Johnson, përfaqësoi administratën e presidentit Barack Obama.

Avokati i familjes Gray, Bill Murphy Jr., u bëri thirrje oficerëve të përfshirë në incident që të tregojnë rrëfimin e tyre.

Gray pësoi dëmtime të shtyllës kurrizore pas arrestimit të tij më 12 prill dhe një javë më vonë ai vdiq.​

XS
SM
MD
LG