Lidhje

Ish-Presidenti Bamir Topi iu rikthye politikës


Dalja e forcave më të vogla politike nga radhët e dy partive më të mëdha është një dukuri e zakonshme gjatë dy dekadave të fundit.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, iu rikthye politikës partiake, duke pranuar ftesën që të bëhet kryetar i Frymës së Re Demokratike. Ai mbajti një fjalë të gjatë para anëtarëve dhe përkrahësve të kësaj partie të re, ku theksoi se “qëllimi kryesor mbetet përsëri zgjerimi i demokracisë dhe integrimi i vendit në Bashkimin Europian, edhe tani pas 20 vjetësh pluralizëm”.

Zoti Topi tha që “më shumë se 95 për qind e shqiptarëve kanë treguar një gadishmëri të plotë për antarësim në BE dhe ata që e penguan këtë janë dy partitë e mëdha”. Zoti Topi foli me shqetësim për një seri çështjesh që sipas tij, janë ende të pazgjidhura dhe do të jenë në qendër të vëmendjes së Frymës së re Demokratike.

Krijimi i Frymës së re Demokratike tërhoqi vëmendjen e analistëve politikë, për shkak të ndryshimeve që ajo mund të sjellë në spektrin politik të vendit dhe në raportet e ngushta të votave mes qeverisë dhe opozitës.

Fraksionet dhe dalja e forcave më të vogla politike nga radhët e dy partive më të mëdha është një dukuri e zakonshme gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri. Këto parti të vogla morën një rëndësi të madhe në ndryshimin e balancave të brishta politike në dy zgjedhjet e vitit 2005 dhe 2009, ku për herë të parë parti të vogla si LSI dhe Partia Agrare luajtën rol kryesor në krijimin e koalicioneve qeveritare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG