Lidhje

Ban Ki-moon në Rusi për bisedime mbi Sirinë


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkoi mbështetje ndërkombëtare për një konferencë paqeje lidhur me Sirinë muajin e ardhshëm

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ndodhet në Rusi, ku kërkoi mbështetje ndërkombëtare për një konferencë paqeje lidhur me Sirinë muajin e ardhshëm. Zoti Ban ka bërë thirrje që të veprohet pa vonesë për të shfrytëzuar rrethanat e krijuara.

Zoti Ban Ki-moon ndodhet në qytetin turistik Soçi të Detit të Zi për t'u takuar me presidentin Vladimir Putin lidhur me Sirinë. Po sot, zoti Ban u takua me ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov.

Zoti Lavrov dhe homologu i tij, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, kanë formuluar një kornizë për konferencën e paqes. Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin Lavrov, zoti Ban theksoi nevojën për veprim të menjëhershëm:

"Ne nuk duhet ta humbasim këtë shtytje që erdhi nga Ministri Lavrov dhe Sekretari Kerry. Ka një pritshmëri të lartë që ky takim të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur.''

Rusia ka kërkuar përfshirjen në këto bisedime të Iranit, aleat i Sirisë dhe të Arabisë Saudite, aleate e Perëndimit, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të ngushtojnë fushën e pjesëmarrësve.

Po sot, gazeta New York Times njofton se Rusia i ka dërguar Sirisë raketa më të përparuara kundër anijeve. Në të njëjtën kohë, Rusia thotë se nuk është e interesuar që Presidenti sirian Bashar al-Asad të mbetet në pushtet.

Dje, presidenti amerikan Barak Obama dhe kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan thanë se do ta vazhdojnë trysninë që presidenti i Sirisë të japë dorëheqjen.

Zoti Obama tha në një konferencë të përbashkët shtypi në Shtëpinë e Bardhë se ai dhe zoti Erdogan janë të një mendimi që presidenti Assad duhet t'ia dorëzojë pushtetin një qeverie kalimtare.
XS
SM
MD
LG