Lidhje

Ban Ki-moon shpreson që Izraeli dhe Turqia të përmirësojnë marrëdhëniet


Ban Ki-moon shpreson që Izraeli dhe Turqia të përmirësojnë marrëdhëniet
Ban Ki-moon shpreson që Izraeli dhe Turqia të përmirësojnë marrëdhëniet

Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon thotë se shpreson se Izraeli dhe Turqia do të përmirësojnë marrëdhëniet, pas vendimit të Ankarasë për të dëbuar ambasadorin izraelit dhe për të pezulluar të gjitha marrëveshjet ushtarake.

Turqia uli nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin pas daljes së detajeve të raportit të Kombeve të Bashkuara mbi sulmin izraelit ndaj një anije turke me destinacion Gazën.

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu njoftoi vendimin

“Fillimisht, marrëdhëniet diplomatike me Izraelin janë reduktuar në nivel të sekretarit të dytë. I gjithë personeli mbi këtë nivel, para së gjithash ambasadori, do të kthehen në vendet e tyre deri të mërkurën. Së dyti, të gjitha marrëveshjet ushtarake Turqi-Izrael janë pezulluar.”

Raporti i publikuar zyrtarisht të premten doli në përfundimin se bllokada detare izraelite për Rripin e Gazës ishte e ligjëshme, por se qeveria izraelite përdori forcë “të tepërt dhe të paarsyeshme” për të ndaluar anijen turke që përpiqej të thyente bllokadën.

Raporti kritikon humbjen e jetëve si rezultat i sulmit izraelit si të “papranueshëm”. Aty thuhet se Izraeli nuk ka dhënë një “spjegim të mjaftueshëm” për vrasjen e nëntë turqëve, shumica e të cilëve thuhet në raport ishin “qëlluar disa herë, disa në shpinë dhe disa në distancë të afërt.”

Duke folur në Australi me kryeministren Julia Gillard, Sekretari i Përgjithëshëm Ban, u tha gazetarëve sot se të dy vendet janë shumë të rendësishëm për rajonin dhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

“Sinqerisht shpresoj se Izraeli dhe Turqia do të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre. Gjatë vitit të fundit, kryesisht kur ndodhi incidenti i flotiljes më 31 maj të vitit të kaluar, kam punuar për të ndihmuar këto vende të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre. Të dy vendet janë shumë të rendësishme në rajon dhe marrëdhëniet e tyre të përmirësuara dhe normale do të jenë shumë të rendësishme në trajtimin e të gjitha çështjeve në Lindjen e Mesme, përfshi procesin e paqes në Lindjen e Mesme, pa përmendur këtu marrëdhëniet e tyre dypalëshe.”

Turqia i ka kërkuar Izraelit që të kërkojë falje për incidentin. Izraeli nga ana e tij ka përsëritur se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG