Lidhje

Vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gazë

  • Scott Stearns

Bisedimet për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe palestinezëve në Rripin e Gazës po vazhdojnë.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ndodhen në rajon.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat i tha kanalit televiziv CNN se ai shpreson për arritjen e një zgjidhje të shpejtë. Por ministrja izraelite e Drejtësisë, Tzipi Livni tha për radion izraelite se ajo nuk sheh "dritë në fund të tunelit".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i cili u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Natanjahu, tha se të dyja palët duhet të ndalin luftimet dhe të bisedojnë mbi shkaqet rrënjësore të problemeve të tyre. Ai tha se palët në konflikt nuk duhet të përdorin dhunën për trajtimin e pakënaqësive të tyre.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së dënoi sulmet me raketa të Hamasit mbi Izraelin, por tha se vazhdimi i sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës nuk do të rrisë sigurinë afatgjatë të Izraelit.

Duke marrë parasysh se Izraeli po intensifikon ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, thotë se kriza humanitare po përkeqësohet nga dita në ditë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns njofton nga Kajro, ku Sekretari Kerry i bëri thirrje Hamasit të pranojë propozimet egjiptiane për një armëpushim.

Numri i të vrarëve, të plagosurve dhe të zhvendosurve nga luftimet në Rripin e Gazës po rritet. Sekretari Kerry thotë se palestinezët po humbasin shtëpitë e tyre, qasjen e tyre në ushqim dhe ujë dhe mënyrën e tyre të jetesës.


Pas bisedimeve në Kairo, ai tha se dhënia e fund e vuajtjeve përmes një armëpushimi varet nga Hamasi.

"Hamasi duhet të bëjë një zgjedhje themelore, e cila do të ketë një ndikim të madh për banorët e Gazës".

Duke mbrojtur përsëri të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten nga sulmet e Hamasit, Sekretari Kerry tha se civilët e pafajshëm janë të bllokuar në mes të dy palëve ndërluftuese.

"Ne po punojmë këtu sepse kemi parë shumë gjakderdhje nga të gjitha palët".

Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shukri thotë se plani i armëpushimit ka mbështetje të gjerë rajonale dhe ndërkombëtare.

"Ata e konsiderojnë atë një nismë të plotë që përfshinë faktorë të cilët në mënyrë të mjaftueshme plotësojnë nevojat e të gjitha palëve".

Por një nga problemet në përpjekjet për kthimin në armëpushimin e vitit 2012 është qeveria e tanishme egjiptiane e cila nuk ka marrëdhënie të mira me Hamasin, veçanërisht në krahasim me administratën e mëparshme të drejtuar nga Vëllazëria Myslimane.

Luftimet janë gjithashtu në një fazë më të thellë se sa ato në vitin 2012, duke e bërë të vështirë arritjen e një armëpushimi. Edhe dështimin e bisedimeve të këtij viti për një zgjidhje me dy shtete ka vështirësuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi. Adam Ereli është ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.

"Është e qartë se zgjidhja politike nuk po ndodh. Prandaj, tani po bëhen përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e sigurisë".
Ish ambasadori Ereli thotë se arritja e një zgjidhje politike kërkon më shumë se sa thjeshtë nënshkrimin e një marrëveshjeje armëpushimi.

"Për sa kohë sa do të ekzistojë një popullsi e angazhuar palestineze me pakënaqësi të patrajtuara që prekin thellë identitetin e tyre dhe partnerë të gatshëm jashtë territoreve palestineze, siç ishte Egjipti, siç është Irani dhe Siria, Izraeli do të ketë probleme të sigurisë".

Sekretari Kerry dhe ministri i jashtëm egjiptian Sameh Shukri thonë se ata do të bëjnë përpjekje për arritjen e një marrëveshje që trajton çështjet themelore në Rripin e Gazës. Hamasi kërkon heqjen e bllokadës izraelite dhe asaj egjiptiane. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se "deri në njëfarë mase" çështja e vendkalimeve kufitare mund të trajtohet në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi.

XS
SM
MD
LG