Lidhje

Ban Ki-moon kërkon armëpushim të menjëhershëm në Jemen


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se Jemeni është në flakë dhe e vetmja zgjidhje janë negociatat.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, bëri thirrje për “armëpushim të menjëhershëm” në Jemen, ku koalicioni i drejtuar nga arabët Sunit po kryen sulme ajrore kunër kryengritësve Shiit.

Gjatë një fjalimi të enjten në Washington, Ban tha se Jemeni është në flakë dhe e vetmja zgjidhje është që të gjitha palët t’u japin fund armiqësive dhe të mblidhen në negociata.

“Procesi diplomatik i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, mbetet rruga më e mirë për të dalë nga lufta me pasoja të tmerrshme për qëndrueshmërinë rajonale”, tha ai duke folur në Press Clubin Kombëtar.

Të paktën 700 veta kanë humbur jetën që kur koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite filloi sulmet ajrore tre javë më parë kundër kryengritësve Huthi, që besohet se mbështeten nga Irani.

Më herët gjatë javës, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Jamal Benomar, la postin e tij pas dështimit për të ulur të dyja palët në tryezën e bisedimeve paqësore.

Burimet diplomatike thonë se diplomati nga Mauritania, Ismail Ould Cheikh Ahmed, së shpejti do të zë vendin e zotit Benomar.

Sauditët dhe shumë nga aleatët e tyre, raportohet të kenë qenë të pakënaqur me atë që ata e kanë cilësuar si qasje e butë e Benomarit ndaj kryngritësve Huthi.

Sekretari Ban nuk e komentoi zëvendësimin e Benomarit, por tha se Sauditët e kanë siguruar atë se “e kuptojnë që duhet të ketë një proces politik”.

Fushata e sulmeve ajrore ka dështuar deri tash t’u jap goditje vendimtare Huthive, por ka ndihmuar të krijohen zona të sigurta në disa pjesë të vendit.

Huthit morën nën kontroll kryeqytetin Sana në shtator, ndërsa përparimet e tyre detyruan presidentin e mbështetur nga perëndimi, Abd-Rabbu Mansour Hadi të largohet.

Huthit janë aleat të ish presidentit të Jemenit, Ali Abdullah Saleh, i cili u largua pas protestave të njohura si Pranvera arabe në vitin 2012.

Al-Qaida në gadishullin arab, që konsiderohet si një nga grupet më të fuqishme terroriste në botë, shpreson të shfrytëzojë kaosin për të zgjeruar ndikimin e saj në vend.

Të enjten, militantët e Al-Qaidas morën nën kontroll aeroportin në Mukalla, qytetin port të jugut dhe kryeqytet i krahinës më të madhe të Jemenit, Hadramawt.

Zyrtarët thanë se luftëtarët e Al –Qaidas u përballën me rezistencë të paktë nga forcat ushtarake në Mukalla. Stacioni më i madh i naftës në Jemen ra po ashtu në duart e militantëve.

Më herët gjatë këtij muaji luftëtarët e Al-Qaidas pushtuan kampin ushtarak në Mukalla. Ata thyen edhe burgun e qytetit duke liruar afro 300 të burgosur.

XS
SM
MD
LG