Lidhje

Urdhër arreste të reja për sulmin në Bangkok


Autoritetet tajlandeze kanë shtuar numrin e të dyshuarve për sulmin e 17 gushtit në Bangkok që la pas vetes 20 të vrarë e mbi 100 të plagosur

Autoritetet tajlandeze që po hetojnë sulmin vdekjeprurës të këtij muaji në Bangkok, thanë të hënën se kanë gjetur më shumë materiale për prodhim bombash gjatë kontrolleve në një apartament në kryeqytet dhe kanë lëshuar urdhër arresti për dy të dyshuar të tjerë – një grua tajlandeze 26 vjeçare dhe një të huaji.

Fotografia e gruas që u identifikua si Wanna Suansan, dhe skica e një burri të paidentifikuar, janë shfaqur në një transmetim të posaçëm në të gjitha televizionet tajlandeze në mesditë.

Zbulimi pasoi bastisjet e policisë në një pallat të dielën dhe pohimet e saj fillestare se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Por, në transmetimin e së hënës, gjeneral i policisë Prawut Thavornsiri, tha se janë gjetur pleh artificial, detonator dhe orë digjitale gjatë bastisjeve të së dielës në një kompleks apartamentesh në qarkun Min Buri në Bangkok.

Të shtunën, autoritetet arrestuan një të huaj 28 vjeçar dhe thanë e kanë gjetur materie shpërthyese, kimikate, sfera kushinetash dhe elemente tjera për prodhimin e bombave.

Materialet janë të ngjashme me ato që ishin përdorur në sulmin e 17 gushtit në Bangkok që la pas vetes 20 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur.

Është e paqartë nëse sulmi kishte të bënte me deportimin në muajin korrik të mbi 100 ujgurëve në Kinë, tha të hënën shefi i shtatmadhorisë tajlandeze General Udomdej Sitabutr.

Autoritetet tajlandeze hezitojnë të ndërlidhin sulmin më terrorizmin ndërkombëtar. Në vend të kësaj, autoritetet që nga e shtuna kanë këmbëngulur në ndërlidhjen e sulmit me zinxhirin e krimit të organizuar të trafikut me njerëz apo hakmarrjen e ndonjë bande për shkak të goditjeve nga policia.

XS
SM
MD
LG