Lidhje

SHBA dhe banka kineze e zhvillimit


Shtetet e Bashkuara kanë shprehur rezerva lidhur me Bankën për Investime në Infrastrukturën e Azisë të propozuar nga Kina, duke thënë se Uashingtoni është i shqetësuar për procedurat drejtuese të bankës. Por disa ekspertë thonë se kundërshtimi ndaj bankës së re mund të mos jetë një zgjedhje e duhur për Uashingtonin.

Kina, së bashku me 20 vende të tjera, kohët e fundit krijoi Bankën për Investime në Infrastrukturën e Azisë. Por disa vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, dyshojnë nëse banka plotëson kushtet ndërkombëtare të organizimit dhe transparencës. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki.

“Qëndrimi ynë është se banka duhet të krijohet duke patur transparencë dhe standarte të larta. Këtë ua kemi bërë të ditur vendeve në rajon si dhe Kinës.”

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth misionit jo fort të qartë të bankës, e cila shihet gjerësisht si një alternativë ndaj institucioneve egzistuese si Banka Aziatike e Zhvillimit. Megjithatë, Richard Cronin, Drejtor i Programit të Azisë Juglindore në Qendrën Stimson, thotë se kundërshtimi i Uashingtonit ndaj institucionit të ri është i gabuar.

“Masat mbrojtëse dhe llogaridhënia janë çështje të vlefshme, por nga ana tjetër, banka po bëhet realitet. Ajo po krijohet dhe Shtetet e Bashkuara mund të shprehin shqetësime, por kundërshtimi i bankës nuk është qëndrimi i duhur në planin ndërkombëtar.”

Por shtetet e Bashkuara nuk janë të vetmet që janë shprehur kundër bankës për zhvillim të udhëhequr nga Kina. Kryeministri australian Tony Abbot tha kohët e fundit se vendi i tij dëshiron t’i bashkohet institucionit, por fillimisht do të donte që banka të kishte transparencën që kanë institucione si Banka Botërore. Koreja e Jugut ka thënë se qeverisja e bankës duhet të shqyrtohet më tej.

Zoti Cronin thotë se përveç çështjeve të organizimit si institucion, konsideratat gjeopolitike janë arsyeja kryesore që Shtetet e Bashkuara dhe disa prej aleatëve të tyre, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë, nuk janë angazhuar në këtë bankë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre tradicionalë kanë ushtruar ndikim të madh në sistemin botëror bankar prej dekadash përmes financimit të institucioneve si Banka Botërore dhe Banka Aziatike për Zhvillim. Kina dhe ekonomitë e tjera që po zhvillohen janë ankuar prej kohësh rreth rënies së ndikimit të tyre në bankat shumëkombëshe të zhvillimit të dominuara nga Perëndimi.

Por Kenneth Lieberthal, me Institutin Brookings thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë pjesmarrjen, në vend të kundërshtimit të bankës së re.

“Mendoj se duhet të angazhohemi në këtë institucion, të bëhemi pjesë e tij. Përmes angazhimit duhet t’i tregojmë Kinës se jemi të përgatitur të pranojmë një rol më të madh të tyre në zonat ku ata kontribuojnë tek të mirat publike dhe duam të punojmë me ta për standartet e nevojshme për të mbështetur mënyrën se si funksionon tani sistemi ndërkombëtar.”

Zoti Lieberthal, ish zyrtar për sigurinë kombëtare, thotë se nëse Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë këtë, atëhere rrezikojnë të shihen sikur me fjalë e mirëpresin rolin e shtuar të vendeve të tjera, por nga ana tjetër nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të.

XS
SM
MD
LG