Lidhje

Banka Botërore: Reformat në Shqipëri, të vështira dhe urgjente


Banka Botërore deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka pësuar çekuilibrime makro-fiskale, ndaj reformat strukturore të qeverisë, edhe pse të vonuara, janë të rëndësishme për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Përfaqësues të Bankës Botërore publikuan Raportin e analizës së Financave Publike, ku theksuan se Shqipëria ka nevojë urgjente për reformat e vështira të sektorit financiar, energjitik, në sistemin e pensioneve dhe shërbimeve publike, si dhe për masa afatgjata në këto fusha.

Banka Botërore sapo miratoi dy hua për zhvillimin e politikave, rreth 220 milionë USD, që do të mbështesin këto reforma në Shqipëri. Dy janë temat kryesore; si të ulë Shqipëria deficititn publik, dhe së dyti si të përdorë më mirë shpenzimet publike për arsimin, shëndetësinë dhe ndihmat shoqërore.


“Borxhi publik duhet të bëhet i qëndrueshëm sa më parë, dhe reformat në taksa, pensione dhe energjitikë mund të ndihmojnë në uljen e këtij borxhi, në periudhë afarmesme“ - thotë krye-ekonomisti i Bankës Botërore për disa vende të rajonit, Abebe Adunga, duke paraqitur studimin për financat publike të Shqipërisë.

Sipas tij, është e ende shumë e lartë nevoja për reforma dhe ivestime në sistemin arsimor dhe shëndetësor, në mënyrë që të arrihen standarte më të larta në shërbim dhe në administrimin e sektorëve. “Investimet aktuale të Shqipërisë në fushën e arsimit janë dukshëm më të ulëta se vendet e tjera në rajon - tha eksperti Adunga i Bankës Botërore.

"Shqipëria harxhon 3 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto për shkollimin, nderkohë që vende të tjera përdorin 4- 4,5 për qind. Ndërkohë ka shumë kritika edhe për nivelin e të mësuarit të nxënësve. Nga një këndvështrim afatmesëm dhe afatagjatë, Shqipëria duhet të ngrejë investimet në shëndetësi dhe arsim, në mënyrë që krahu i saj i punës të jetë konkurrues në të ardhmen” - tha ai.

Përfaqësues të qeverisë diskutuan me Bankën Botërore për hapat konkretë se si të përmirësohet gjendja e shpenzimeve dhe shërbimeve publike, e mbi të gjitha si të rregullohet klima ekonomike. Ministri i financave Shkëlqim Cani, tha se “qeveria do të rritë gradualisht buxhetin për arsimin dhe shëndetësinë, edhe pse nevojat janë shumë të mëdha në rë gjitha fushat e tjera, si infrastruktura etj., ndërkohë që mbledhja e taksave është shumë e ulët”.

Banka Botërore dhe FMN po e mbështesin Shqipërinë edhe në këtë periudhë me kredi dhe hua të reja, një pjesë e të cilave po përdoret për shlyerjen e borxheve të vjetra ndaj bizneseve që kanë kryer ndërtime publike vitet e kaluara dhe një pjesë tjetër për të forcuar gjendjen e ekonomisë. Rritja e qëndrueshmërisë ekonomike vlerësohet prej tyre si reforma më e vështirë përballë krizës rajonale dhe tronditjes së tregut të brendshëm në prodhim dhe konsum.

XS
SM
MD
LG