Lidhje

Nisma e BB dhe ish kryeministrit Blair


Projekti ku është përfshirë dhe Shqipëria u bë publik në Tiranë nga ish kryeministri britanik. Opozita në Tiranë ngre pikëpyetje për financimin e asistencës së zotit Blair

Banka botërore njoftoi se ajo së bashku me ish kryeministrin britanik Tony Blair do të ofrojnë asistencën e tyre teknike në mbështetje të një nisme ku janë përfshirë gjashtë vende të botës Etiopia, Gana, Haiti, Malawi, Senegali dhe Shqipëria. Udhëheqësit e këtyre vendeve ranë dakort javën e shkuar në Nju Jork, gjatë një takimi me presidentin e Bankës Botërore dhe ish kryeministrin Blair, të bëhen pjesë e nismës e cila synon të japë njohuri mbi mënyrën se si qeveritë duhet t’u ofrojnë qytetarëve shërbimet më të mira.

Në bazë të kësaj nisme duket të jetë mekanizmi që zoti Blair aplikoi në vitin 2001 në vendin e tij, kur ishte në mandatin e dytë qeverisës e njohur si Delivery Unit, një njësi e specializuar e cila ndjek nga afër realizimin e disa objektivave më të rëndësishëm. Sipas kësaj skeme, qeveritë përcaktojnë një numër të reduktuar objektivash prioritarë që mund të konkretizohen brenda 2-3 vitesh dhe njësia e specializuar ngarkohet që të ndjekë hap pas ecurinë e zbatimit të tyre deri në realizimin konkret.

Gjatë deklarimeve të tij në Tiranë dy ditë më parë në krah të kryeministrit shqiptar Edi Rama, zoti Blair do ta shpjegonte kështu këtë nismë: "Ajo çfarë do të donim të bënim në këtë raport është të punojmë së bashku me partnerë, së bashku me Bankën Botërore, së bashku me qeverinë për të realizuar, ose me fjalë të tjera që të transformojmë vizionin dhe objektivat në ndryshime dhe përmirësime konkrete për jetët e njerëzve".

Angazhimi i zotit Blair nxiti hipoteza të shumta, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Britaninë e madhe për aspektin financiar. Kryeministri Edi Rama dëshiroi të veconte se “Kryeministri Blair është në shërbimin tonë personalisht, tërësisht vullnetarisht”. Nga ana e tij zoti Blair në një intervistë për emisionin Top Story në Top Channel, shpjegoi se nuk do të merrte asnjë qindarkë nga qeveria shqiptare dhe se projekti do te duhet te mbulohet nga bashkësia ndërkombëtare, nga donatorë.

Dje opozita i konsideroi kontradiktore deklarimet për aspektin financiar, duke kërkuar nga kryeministri Edi Rama të shpjegojë pse deklaroi se zoti Blair do të punonte vullnetarisht dhe të tregojë, se, nëse shpenzimet e zotit Blair do të mbulohen nga donatorë, cilët janë ata, cfarë interesash kanë në Shqipëri dhe si do të kompensohen për këto pagesa ndaj shërbimeve të zotit Blair.
XS
SM
MD
LG