Lidhje

Banka Botërore dhe FMN diskutojnë për Japoninë dhe Lindjen e Mesme


Banka Botërore dhe FMN diskutojnë për Japoninë dhe Lindjen e Mesme
Banka Botërore dhe FMN diskutojnë për Japoninë dhe Lindjen e Mesme

Konfliktet, borxhi i paqëndrueshëm qeveritar dhe nevoja për mënyra të reja për t’u bërë ballë sfidave botërore pas krizave janë temat kryesore që do të diskutojnë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në takimin e përvitshëm të pranverës që fillon javën e ardhshme në Uashington. Rimëkëmbja ekonomike jo e njëjtë në vende të ndryshme është ndërlikuar edhe më tej nga trazirat në Lindjen e Mesme dhe tërmeti shkatërrimtar në Japoni, ekonomia e tretë më e madhe e botës.

Ngjarjet e paparashikuara, përfshirë tërmetin dhe cunamin masiv në Japoni që shkaktoi edhe një katastrofë bërthamore dhe trazirat politike që kanë përfshirë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, pritet të zënë vend kryesor në diskutimet e anëtarëve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të mblidhen në Uashington. Markus Noland është zëvendës-drejtor në Institutin “Peterson” për Ekonominë Ndërkombëtare.

“Unë mendoj se ato do të jenë tema të rëndësishme, pikërisht për shkak se zhvillimet atje jo vetëm që janë të rëndësishme për popujt e rajonit, por mund të kenë edhe ndikime të mëdha në mbarë botën.”

Ndër ndikimet është shtrenjtimi i naftës dhe mundësia për një tjetër ngadalësim global ekonomik. Edhe pse ekonomia botërore është parashikuar të rritet me një ritëm të moderuar këtë vit, kreu i FMN-së, Dominik Shtraus-Kahn, thotë se rimëkëmbja mbetet e njëanshme, ndërsa Kina dhe ekonomitë e tjera në zhvillim po rritet më shpejt se ekonomitë perëndimore.

“Përtej Japonisë dhe në një plan më afatgjatë, çështja e vendeve evropiane është sigurisht e rëndësishme. Disa prej tyre janë në udhëkryq për shkak të problemeve të borxhit shtetëror dhe të sektorit financiar.”

Përpara takimit, Portugalia, një nga vendet më të varfëra të Eurozonës, u bë vendi i tretë në BE që kërkon ndihmë rreth borxhit të saj paralizues. Ekonomistët thonë se edhe vende të tjera mund të ndjekin shembullin e Lisbonës. Zoti Shtraus-Kahn thotë se sfidat do të kërkojnë bashkëpunim edhe më të thellë ndërmjet vendeve anëtare.

“Vrulli, gatishmëria për të punuar së bashku, ndonëse ekziston akoma, nuk është aq i fortë sa ishte dy vjet më parë dhe kjo më shqetëson shumë sepse është e qartë që kemi nevojë për bashkëpunim.”

Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zellik, propozoi një marrëveshje të re shoqërore, e cila merr parasysh ndikimin e politikave botërore në jetën e qytetarëve individualë.

“Mesazhi ynë ndaj klientëve tanë, pa marrë parasysh sistemin e tyre politik, është se ju nuk mund të ketë zhvillim të suksesshëm pa një qeverisje të mirë dhe pa pjesëmarrjen e qytetarëve tuaj.”

Sërish, Markus Noland nga Instituti “Peterson”.

“Duhen bërë disa gjëra. FMN-ja në veçanti duhet të vazhdojë me agjendën, që u hartua në takimin e G20-ës në Seul dhe që do të plotësohet në takimin e Kanës më vonë këtë vit, rreth reformave të brendshme në qeverisje, forcimit të sistemit financiar botëror dhe posaçërisht ndikimit në vendet në zhvillim që po përballen me kriza financiare.”

Presidenti i Bankës Botërore Zellik thotë se mosveprimi paraqet një rrezik të madh sa edhe veprimet e gabuara. Ai po u bën thirrje qeverive në Lindjen e Mesme për të ndërmarrë reforma të shpejta që do të rrisin punësimin, ndërsa zhvillohen strategji më afatgjata. FMN-ja pritet të theksojë rëndësinë e reformave rregullatore për të përmirësuar stabilitetin financiar botëror dhe për të ngushtuar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.

XS
SM
MD
LG