Lidhje

Banka Botërore kredi për Shqipërinë


Banka Botërore njoftoi sot se bordi i Drejtorëve ka miratuar një kredi prej 85.3 milionë dollarësh për projektin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve në rajonin e Durrësit, qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë.

Projekti, sipas Bankës Botërore, parashikon ndërhyrje të rëndësishme për përmirësimin e furnizimit me ujë, veçanërisht gjatë sezonit turistik, për uljen e humbjeve, dhe investime në lidhjet e fshatrave me sistemin e ujësjellësit të qytetit.

Projekti parashikon gjithashtu investime në sistemin e kanalizimeve në zonën bregdetare. Sipas Bankës Botërore, nga këto ndërhyrje pritet të përfitojnë rreth 400 mijë banorë përmes përmirësimit rrënjësor të furnizimit me ujë e trajtimit të ujërave të zeza, ndërkohë që efektet do të jenë edhe në mbrojtjen e mjedisit.

Që prej fillimit të viteve ’90, Banka Botërore ka financuar mbi 120 projekte zhvillimi në Shqipëri, me një vlerë prej mbi 1.4 miliard dollarë. Qeveria shqiptare është në përfundim të bisedimeve me Bankën Botërore edhe për një kredi të butë në mbështetje të buxhetit për vitin e ardhshëm e cila, siç kanë pohuar drejtues të Bankës, mund të shkojë deri në 200 milionë dollarë.
XS
SM
MD
LG