Lidhje

Banka Botërore: Ballkani të ecë vetë


Studimi thotë se vetëm reformat e shpejta mund të rritin vendet e punës, klimën e biznesit, shëmbimet tregtare dhe skemat e sigurimeve shoqërore.

Banka Botërore publikoi sot një studim, sipas të cilit kriza në eurozonë po zgjatet më shumë nga ç’ishte parashikuar dhe vendet e Europës Juglindore duhet të thellojnë reformat fiskale për të përmirësuar gjenden e tyre ekonomike. Studimi i fundit i Bankës Botërore sugjeron se vendet e këtij rajoni duhet të ulin deficitet fiskale, pagesat e prapambetura dhe borxhin publik, si dhe të forcojnë disiplinën fiskale. “Banka Botërore propozon që reformat strukturore dhe fiskale duhet të përshpejtohen. Vendet e rajonit nuk mund të vazhdojnë ashtu si deri tani - thotë Ksenia Lvovski, drejtuese e Bankës Botërore në Tiranë.



Studimi thotë se vetëm reformat e shpejta mund të rritin vendet e punës, klimën e biznesit, shëmbimet tregtare dhe skemat e sigurimeve shoqërore. Banka Botërore thekson se duhen nxjerrë mësime nga mënyra si kanë ecur privatizimet në rajon, ndaj duhet më shumë transparencë. “Privatizimi i Albpetrol-it nxiti pritshmëri të larta, të cilat deri tani nuk janë përmbushur. Të gjithë po presin rezultatin përfundimtar të këtij procesi. Ndërsa privatizimi i CEZ ishte i shëndetshëm në fillim, ndonëse pak i nxituar. Por aktualisht qeveria dhe CEZ po ndërmjetësojnë një ndarje miqësore mes tyre, por rasti i CEZ nuk duhet përgjithësuar për të gjithë privatizimet” - tha zonja Lvovski

Banka Botërore mendon që edhe pse kriza vazhdon, Ballkani duhet të punojë më shumë për rritjen afatgjatë. Kriza nuk u zbut në mënyrë lineare, ndaj edhe rritjet ekonomike të vendeve janë ulur mesatarisht me 0, 5 për qind. Sipas këtij studimi rritja reale e ekonomisë shqiptare vitin tjetër mund të jetë 1,6 për qind, e Serbisë 2 për qind dhe e Kosovës 3,3 për qind, ndërsa të tjerët parashikohet të jenë afër zeros.

Sipas studimit, vendet e eurozonës po ngrihen ngadalë, tregjet financiare janë të pasigurta, lëndët e para janë me çmime të larta, dhe prodhimi industrial mbetet i dobët. Perspektiva e rritjes globale dhe e eurozonës është përkeqësuar, thotë Banka Botërore, prandaj Ballkani Perëndimor dhe Europa Juglindore duhet të ndjekin me vendosmëri reformat e veta, pa u mbështetur fort dhe pa pritur shumë nga tregtia dhe remitancat me Europën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG