Lidhje

Banka Botërore dhe klima e biznesit në Shqipëri


Banka Botërore pohoi sot se sipas studimeve të fundit, klima jofavorizuese ndaj biznesit është një nga pengesat kryesore që përballin firmat vendase dhe të huaja në Shqipëri. Përfaqësuesja e Bankës Botërore Tahsin Sajed thotë se një nga 5 përparësitë kryesore për Shqipërinë është nevoja për të vendosur një klimë cilësore biznesi. Ajo i bëri këto komente në një konferencë të grupit të Bankës Botërore dhe ministrisë së ekonomisë.

“Përmirësimi i klimës së biznesit duhet vënë në qendër të punës së qeverisë, sepse kjo lidhet drejtpërdrejt me rritjen ekonomike - tha zonja Sajed. - Banka Botërore po mbështet nga afër përpjekjet e qeverisë për të krijuar kushtet e duhura në veprimtarinë e bizneseve dhe për të arritur rritjen ekonomike” - shtoi ajo.

Banka Botërore po ndihmon që klima e biznesit në Shqipëri t'u afrohet standarteve ndërkombëtare. Ekspertët e saj po ndihmojnë me këshilla dhe me fonde Shqipërinë për të rregulluar klimën e biznesit. Po ashtu Banka Botërore po ndihmon edhe në ndërtimet e infrastrukturës në rrjetin energjitik dhe atë rrugor.

“Ky është një vend me potenciale të mëdha ekonomike dhe Banka Botërore po bën c'është e mundur që Shqipëria të përfitojë sa më shumë nga pozicioni i përshtatshëm gjeografik dhe burime të tjera - tha zonja Zajed. Sipas saj, sfida kryesore mbeten riorganizimi i sektorëve publikë me rrezik të lartë, përmirësimi i eksporteve, i ligjeve ekonomike, i privatizimeve, i energjisë, transporteve, telekomunikacionit dhe shëndetësisë, si edhe rritja e transparencës së prokurimeve.

Institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar dhe Banka Botërore u kërkuan autoriteteve shqiptare që të ruajnë qëndrueshmërinë makro-ekonomike dhe fiskale sepse ato janë çështje kyçe për ekonominë në situatë ku gjendet vendi dhe rajoni.

XS
SM
MD
LG