Lidhje

BB: Shqipërisë i nevojitet konsolidim fiskal


Prezantohet raporti për zhvillimet ekonomike në Ballkan. Rajoni pritet të rritet mesatarisht me 1.7 përqind në 2013

Rajoni i Europës juglindore ku përfshihen 6 vende ballkanike pritet të ketë një ecuri pozitive ekonomike gjatë këtij viti, pas recesionit të regjistruar në 2012. Banka Botërore paraqiti sot raportin e radhës mbi zhvillimet ekonomike. Rritja ekonomike e Shqipërisër ra ndjeshëm vitin e kaluar megjithatë ajo ka ruajtur ritmet pozitive ndonëse të ulta. Sipas Bankës botërore ekonomia e saj parashikohet të rritet me 1.8 përqind. Megjithatë Shqipëria duhet të bëjë kujdes me borxhin e lartë publik ndërsa është ndër vendet ku sipas ekspertëve të Bankës është urgjente konsolidimi fiskal

Gjatë këtij viti vendet e rajonit pritet të rriten mesatarisht me 1.7 përqind. Ndonëse rritjen më të madhe parashikohet ta ketë Kosova, është Serbia ajo që ka ndikimin më të madh duke qenë se prodhimi i brendshëm bruto i saj, është sa gjysma e prodhimit të të gjitha rajonit.

BB për ekonominë e Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Shqipëria sipas raportit të prezantuar sot nga Banka botërore pritet të ketë një rritje lehtaz mbi mesataren, te 1.8 përqind, nga 1.6 përqind në 2012. Sipas ekspertit të Bankës Erjon Luci ndikim pozitiv kanë patur eksportet: "Në krahasim me vitin e kaluar, është pjesa e eksporteve dhe e kërkesës së jashtme që patur ndikim pozitiv, vecanërisht eksporti i energjisë që deri diku ka kompensuar uljen e kërkesës së brendshme e cila po e mban rritjen në norma që nuk janë të përshtatshme për uljen e mëtejshme të varfërisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës”.

Por ndërsa eurozona pritet të jetë sërish në recesion gjatë këtij viti, rritja e rajonit vlerësohet e brishtë. Ekspertët e Bankës sugjerojnë nevojën për reforma strukturore për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Shqipëria Serbia dhe Mali i zi, sipas raportit duhet urgjentisht të përqëndrohen në konsolidimin fiskal. 5 mujori i parë i këtij viti, ishte me të dhëna shqetësuese për ekonominë shqiptare, për shkak të uljes së fortë të të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet shënuan sërish rritje. “Një situatë e tillë e vështirëson konsolidimin fiskal i cili megjithatë mbetet i pashmangshëm”, shpjegoi zoti Luci.

Për Shqipërinë shqetësim vazhdon të mbetet borxhi i lartë publik: “Mbajtja e borxhit të lartë është një rrisk shtesë në menaxhimin e financave publike dhe rritja modeste ekonomike e bën akoma më të vështirë këtë dalje nga niveli i lartë i borxhit thjesht duke shpresuar te një rritje e lartë”, tha zoti Luci.

Raporti i Bankës botërore vlerëson se vendet e rajonit duhet të përmirësojnë klimën e biznesit dhe fleksibilitetin e tregjeve të punës, ku kërkohet vecanërisht një përmirësim i sistemit arsimor. Shqipëria dhe Kosova vlerësohen si problematike për një fuqi punëtore të pa formuar, gjë e cila është ngritur si shqetësim nga 70 përqind e ndërmarrjeve.
XS
SM
MD
LG