Lidhje

Shqipëria bisedime me BB për hua për ekonominë

  • Armand Mero

Drejtoresha për Europën Juglindore Ellen Goldstein në Tiranë: “Mbështetje financiare edhe për të mbuluar boshllëkun financiar të buxhetit”.

Shqipëria është në bisedime me Bankën botërore për marrjen e disa huave: kjo u bë e ditur sot në Tiranë nga Drejtorja Rajonale per Evropen Juglindore në Bankën Botërore, Ellen Goldstein. NJë prej huave pritet të jetë në mbështetje të buxhetit të qeverisë. Zonja Goldstein tha se është ende herët për të folur për një shumë të saktë por shtoi se do të jetë aq e madhe sa të mbulojë boshllëkun fiskal.


Banka Botërore shprehet e gatshme të ndihmojë Shqipërinë për të zgjidhur situatën e vështirë financiare të saj. Mes palëve kanë nisur bisedimet për disa ndërhyrje, që sic shpjegoi drejtorja për Europën juglindore Ellen Goldstein, përqëndrohen në dy drejtime të mëdha, njëra për mbështetjen e disa investimeve të përparësisë së lartë dhe vecanërisht për sektorin energjitik apo furnizimin me ujë, dhe tjetra, mbështetje e drejtpërdrejtë e buxhetit e cila do të kushtezohet me një program të reformave financiare dhe fiskale, për të cilën Banka botërore shpreson të fillojë në pranverë. “Sa për madhësinë e kredisë, do të jetë në atë masë që të mbulojë boshllëkun fiskal, sapo të bihet dakort për kuadrin fiskal, përdorimin e shpenzimeve apo për të ardhurat. Do të ketë një deficit që do të duhet të financohet nga burimet e brendshme dhe ne do të futemi si burimi i fundit për të mbyllur diferencën”, deklaroi zonja Goldstein.

Banka botërore vlerëson se Shqipëria ka përpara disa sfida për të cilat zonja Goldstein tha se i kanë dërguar mesazhe qeverisë shqiptare. “Një nga mesazhet e para ka të bëjë atë që nevojitet për të parandaluar krizën, nuk kemi krizë por janë disa pika të dobta që lidhen për shembull me sektorin energjitk. E dyta, përmirësimi i klimës së biznesit në mënyrë që të mos shterrohen të gjithë energjitë për zhvillimin e sektorit privat. Një gjë tjetër është përmirësimi i hapësirës fiskale për të përmirësuar mënyrën e administrimit të shpenzimeve publike, si dhe nevoja për të mbrojtur pasurinë e madhe natyrore që ka Shqipëria”, u shpreh drejtorja për Europën juglindore.

Lidhur me deklarimet e qeverisë së re për uljen e disa taksave dhe rritjen e disa të tjerave, zonja Goldstein tha se mund të jetë momenti për të përfshirë një shkallë progresiviteti të tyre. Aktualisht në Shqipëri funksionon sistemi i taksës së sheshtë fikse 10 përqind. Ajo gjithashtu paralajmëroi se këto ndërhyrje duhet të sigurojnë që të mos ndikohet buxheti, ndërsa tha se do të ishte e nevojshme ngushtimi i hapësirave për evazion fiskal.

Përsa i përket nivelit të lartë të borxhit publik, ajo shpjegoi se “ka një tendencë kudo për të rritur shpenzimet në mënyrë që të nxitet rritja ekonomike, por duke parë nivelin e ulët të të ardhurave në Shqipëri duhet bërë kujdes deri ku mund të shkojë borxhi”, tha drejtorja për Europën Juglindore. Ajo u shpreh e kënaqur ndërkohë për nismën e qeverisë për të dokumentuar detyrimet e prapambetura të shtetit ndaj bizneseve.
XS
SM
MD
LG