Lidhje

Banka Botërore i kërkoi përsëri Shqipërisë që të ulë borxhin publik


Banka Botërore i kujtoi përsëri Shqipërisë se borxhi i saj publik është i lartë dhe se duhet të përpiqet për ta reduktuar atë. Një përfaqësues i Bankës Botërore deklaroi në Tiranë se konsolidimi fiskal dhe reduktimi i borxhit publik duhet të jetë për Europën dhe Shqipërinë një detyrë parësore gjatë kësaj dekade. Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Indermit Gill, i bëri këto komente gjatë paraqitjes si bashkautor i Raportit “Rritja e artë: Rikthimi i shkëlqimit të Europës”, pjesë e një turi europian.

“Shqipëria ka vështirësi me borxhin publik – tha ai, në një takim ku morën ministra dhe deputetë opozitarë. - Është një borxh publik i lartë krahasuar me vende të tjera si Kroacia, Maqedonia apo Serbia. Kjo është çëstje kyçe në financat publike” – tha zoti Gill. Ai shtoi se nga ana tjetër, Shqipëria nuk shpenzon shumë për mbrojtjen sociale krahasuar me vende të tjera, po ashtu shpenzon pak për shëndetësinë dhe arsimin. Ai këshilloi që të mbështeten fort investimet e huaja.

“Në vende si Shqipëria, çdo gjë që ndihmon investimet e huaja do të ndihmojë ecjen përpara – tha zoti Gill i Bankës Botërore. - Investimet e huaja direkte kanë lidhje shumë të ngushtë me zhvillimin e vendeve që nuk shquhen për prodhimtari të lartë. Ato sjellin para direkte, njohuri se si të prodhohet dhe se si të shitet prodhimi. Rruga më e mirë për vende si Shqipëria është që të bëjnë gjithçka që të lehtësojnë ardhjen e investimeve të huaja” – tha ai.

Raporti i Bankës Botërore rekomandon që Europa dhe vendet e larmishme të saj, duhet të vazhdojnë reformat ekonomike me disiplinë të fortë, duke mbështetur njëra-tjetrën. Dhe pa humbur besimin tek suksesi. Sipas këtij raporti, ekonomia europiane nuk ka nevojë për modele të reja, por për zbatimin e përpiktë të modelit të saj tradicional, rrugë që do të sjellë rritjen afatgjatë. Banka Botërore vëren se Europa nuk do të mund të forcohet ekonomikisht, nëse njerëzit punojnë më pak ditë dhe vite si tani, dhe nëse paguajnë shumë për mbrojtje të madhe sociale dhe qeveri të fryra me harxhime të mëdha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG