Lidhje

Banka Botërore publikon Raportin Vjetor e të Bërit Biznes


Banka Botërore publikoi sot raportin vjetor mbi lehtësinë e të bërit biznes “Të bësh biznes 2017: Mundësi të barabarta për të gjithë”, ku Shqipëria shënoi përmirësim në renditjen botërore.

Përmirësimi i mjedisit të biznesit, sipas raportit të Bankës Botërore, bëri që Shqipëria të ngjitej me 32 vende në renditjen botërore, nga vendi 90 vitin e kaluar në vendin 58 sivjet.

“Përmirësimet në mjedisin rregullator të biznesit reflektuan kryerjen e reformave të ndryshme. - thuhet në shpjegimet e Bankës Botërore. - Gjatë 2015 - 2016 Shqipëria ka bërë përmirësime themelore në kuadrin rregullator në tri fusha kryesore”.

Sipas raportit, u bë më e lehtë marrja e lejeve të ndërtimit pas heqjes së moratoriumit dhe rikthimit të dhënies së lejeve të ndërtimit; U reformua inspektimi përfundimtar, si dhe i marrjes së çertifikatës së kolaudimit.

Po ashtu, u bë më i lehtë sigurimi i energjisë elektrike, duke përshpejtuar marrjen e një lidhjeje të re në rrjet.

Pagesa e taksave u lehtësua përmes një sistemi online.

“Progresi i arritur në zbatimin e këtyre reformave tregon përkushtimin e qeverisë në përmirësimin e klimës së biznesit, e cila është e nevojshme për rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës", - tha Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.

Shqipëria renditet në vendin 16 nga 25 vendet e rajonit, duke lënë pas Kosovën, që renditet e 60-ta, dhe Bosnjë-Hercegovinën e 81-ta, por ndodhet pas Maqedonisë e 10-ta, Kroacisë e 43-ta, Serbisë e 47-ta, dhe Malit të Zi i 51-ti.

“Shqipëria mund të reformojë më tej në të ardhmen lidhjet për energjinë elektrike, të zbatojë plotësisht platformën on-line për lëshimin e lejeve të ndërtimit, të përmirësojë procesin e transferimit të pronës dhe të rrisë eficiencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve tregtare në gjykata. Tregtia ndërkufitare mund të reformohet për të ulur kohën dhe kostot e procedurave në kufi” - tha Banka Botërore.

Ministrja e ekonomisë, Milva Ekonomi, deklaroi për shtypin menjëherë pas publikimit të raportit, se kjo ishte një renditje historike për Shqipërinë.

“Ky është një përmirësim i dukshëm prej 32 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, është renditja dhe vlerësimi më i mirë që Shqipëria ka patur ndonjëherë, që nga viti 2003, kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore” - tha zonja Ekonomi.

Sipas saj, raporti konfirmoi rritjen cilësore të reformave të ndërmarra nga qeveria për lehtësitë e të bërit biznes

“Vlerësimi i Bankës Botërore konfirmon që reformat e ndërmarra nga qeveria janë duke ecur në drejtimin e duhur, dhe nxit investuesit e huaj për të ardhur në Shqipëri, pasi vendi ynë është miqësor ndaj sipërmarrësve të huaj” - shtoi ministrja Ekonomi.


XS
SM
MD
LG