Lidhje

Banka Botërore nxit qeverinë shqiptare të zgjidhë çështjen e pronave


Banka Botërore nxit qeverinë shqiptare të zgjidhë çështjen e pronave
Banka Botërore nxit qeverinë shqiptare të zgjidhë çështjen e pronave

Banka Botërore u bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare që të shpejtojnë punën për të garantuar të drejtat e pronësisë në Shqipëri. Drejtoresha për Shqipërinë dhe Koordinatorja Rajonale për Europën Juglindore, Jane Armitage, deklaroi në një konferencë për mirëqeverisjen se respektimi i të drejtës pronësore është një faktor kryesor për invesitorët e huaj që të vijnë në Shqipëri:

“Ky është një problem shumë kompleks. Qeveritë në Shqipëri janë përpjekur ta zgjidhin përmes ndryshimit të ligjeve. Banka Botërore dhe partnerë të tjerë zhvillimi si USAID dhe Komisioni Europian, i kanë ndihmuar njerëzit që të regjistrojnë titujt e tyre të pronësisë. Kjo është një fushë ku Shqipëria duhet të shpejtojë veprimet për të rregullluar procesin e regjistrimit të pasurive” - tha ajo.

Sipas saj, ky nuk është një problem që lidhet me ngatërresat e regjimit komunist, por edhe tani gjatë 20 vjetëve të fundit kanë ndodhur një emigrim i brendshën përmasa të mëdha.

“Shumë njerëz në këtë periudhë kanë lëvizur nga zonat malore, ose fshatare dhe kanë ndërtuar prona të tyre në toka pa pronësi ose me pronësi të personave të tjerë. Kjo është një çështje qe duhet të rregullohet për të mirën e investimeve të ardhshme në Shqipëri” - tha Drejtoresha e Bankës Botërore.

Zonja Jane Armitage i kushtoi pak minuta edhe debatit me ministrinë e shëndetësisë për një projekt, që pritej të financohej nga Banka Botërore. Ajo tha se në deklaratën e Bankës Botërore është e qartë gjithçka për shkaqet e anullimit të atij financimi, por theksoi se Banka Botërore ka për këto projekte udhëzime të posaçme shumë profesionale.

“Banka Botërore ka udhëzues, politika dhe rregulla rreth prokurimeve që mbështesin projekte në terrenin ku ajo punon, dhe që zhvillohen me fonde të Bankës Botërore. Thelbi i rregullave të Bankës Botërore në këto financime është që projektet të realizohen me koston sa më të ulët dhe që të arrijnë nivelin sa më të lartë të cilësisë së shërbimit. Kjo arrihet me konkurrencën e firmave vendase dhe atyre ndërkombëtare. Ne kemi kritere shumë të qarta teknike për këto raste, dhe u sigurojmë qytetarëve transparencë maksimale” - tha zonja Armitage.

Konferenca për mirëqeverisjen trajtoi edhe çështjen e borxhit publik dhe të rritjes ekonomike përballë krizës ekonomike botërore. Qeveria ka rënë dakord që në buxhetin e fundvitit të ulë borxhin dhe të përpiqet për të siguruar rritje ekonomike 3-4 për qind. Banka Botërore do ta ndihmojë Shqipërinë nga muaji tetor për reformën e skemës së pensioneve. Qeveria shqiptare i kërkoi Banka Botërore që të sjellë një grup ekspertësh për të studiuar mënyra të ndryshme se si të reformohet skema e pensioneve. Ndërkohë Banka Botërore ka mbështetur një projekt për institutin e sigurimeve shoqërore që të përgatitë një listë sa më të saktë të dhënash mbi qytetarët që kontribuojnë.

XS
SM
MD
LG