Lidhje

BB, 266 milion euro për Shqipërinë


Banka Botërore aprovoi dy projekte: 200 milion euro do shërbejnë si garanci për një hua tregtare të qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për projektin për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore, në mbledhjen e tij të fundit në Uashington, aprovoi dy projekte për Shqipërinë me një shumë totale prej 265.9 milionë eurosh.

Projekti i parë, prej 200 milion eurosh ka të bëjë me një garanci për një hua tregtare që qeveria shqiptare pritet të marrë në tregjet e huaja financiare. Ky projekt “mbështet reforma kryesore që janë kritike për Shqipërinë për të ruajtur hapësirën fiskale për rritje, dukë lejuar investime dhe ofrimin e shërbimeve sociale që lidhen me uljen e varfërisë, tha Doerte Doemeland, Kryeekonomiste në Bankën Botërore dhe Drejtuese e Projektit. “Garancia do të reduktojë kostot për huamarrje të Shqipërisë, do të lehtësojë nevojat për fonde të qeverisë dhe rreziqet, si dhe do të clirojë burime të bankave komerciale për kreditimin e sektorit privat.”


Projekti i dytë është ai për “Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore”. Mirëmbajtja e rrjetit të rrugëve kombëtare ka qënë vazhdimisht e keqfinancuar duke dëmtuar kështu qëndrueshmërinë e sektorit të transportit. Siguria në rrugë mbetet një problem madhor social dhe për shëndetin publik në Shqipëri me një numër mjaft të lartë viktimash për vit krahasuar me vendet e rajonit. “Projekti do të përmirësojë sigurinë në rreth 1334 km të rrugëve kombëtare me vëllim të lartë qarkullimi të Shqipërisë. Nga ky projekt pritet të përfitojnë përdoruesit e rrugëve në të gjithë Shqipërinë si rezultat i përmirësimeve në mirëmbajtjen e rrugëve, pakësimit të kohës dhe kostos së udhëtimit si dhe uljes së kostove ekonomike dhe sociale që lidhen me aksidentet rrugore”, tha Artan Guxho, Inxhinier i Lartë i Infrastrukturës në Bankën Botërore dhe Drejtues i Projektit. Kosto totale e projektit është 128.47 milionë euro, me një bashkëfinancim prej 62.57 milionë eurosh nga Qeveria e Shqipërisë.

Qëkurse Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në 1991, vendi ka përfituar 86 projekte me një vlerë totale prej 2.4 miliardë dollarësh amerikanë, në formën e granteve dhe kredive të IDA-s, si dhe huave të IBRD-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG