Lidhje

Perspektivat e Ekonomisë Globale 2013


Banka Botërore po u bën thirrje vendeve në zhvillim të ruajnë rritjen ekonomike ndërsa ekonomia globale për vitin në vazhdim mbetet e paqëndrueshme. Në një raport të ri të publikuar të martën me titull “Prespektivat e Ekonomisë Globale 2013”, Banka Botërore thotë se Shqipëria ishte mes vendeve të rajonit të Evropës dhe Azisë Qëndore që patën një rritje prej më pak se një përqind, ndërsa pritshmëria për vitin 2013 mbetet subjekt i rreziqeve serioze rajonale dhe globale.

Raporti i Bankës Botërore, Prespektivat e Ekonomisë Globale 2013 i bën një analizë situatës ekonomike të vendeve në kushtet e sfidave si kriza në Eurozonë, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vendet me zhvillim të shpejtë dhe paqëndrueshmëria e tregjeve financiare.

Sipas raportit, rritja në Evropë dhe Azinë Qëndore ku bën pjesë edhe Shqipëria ra ndjeshëm në vitin 2012 pas një rritje të fuqishme një vit më parë. Për Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë dhe Rumaninë pritet që rritja ekonomike gjatë 2012 të ketë qënë më e vogël se një përqind. Vendet e Ballkanit Perëndimor thotë raporti, me lidhje të forta ekonomike dhe bankare me Evropën, vuajtën pasojat e rënies së kërkesës për eksporte, pakësimit të hyrjes së kapitalit të huaj dhe të ardhurave nga imigracioni.

Ndërkohë konsumi i brendshëm, i cili ka qënë motori i rritjes në rajon, u pakësua gjatë krizës financiare. Raporti përmend Shqipërinë ndër vendet që patën një ulje të ndjeshme të konsumit të brendshëm, nivelit të kreditimit dhe të të ardhurave nga imigrantët, ndërkohë që papunësia mbetet e lartë. Të gjitha këto zhvillime shkaktuan ngadalësim në gjysmën e parë të 2012 ndërsa treguesit për muajt e fundit të vitit janë të ndryshëm për vende të ndryshme të rajonit.

Prodhimi i Përgjithshëm i Brendshëm në rajon pritet të jetë ulur me 3 përqind në vitin 2012, ndërsa për këtë vit, ai parashikohet të ketë një rritje të lehtë në 3 presje 6 përqind ndërkohë që faktorët që ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike gjatë 2012-ës do të vazhdojnë të jenë të pranishëm.

Prespektiva për rajonin në vitin 2013, thotë Banka Botërore, do të varet shumë nga menaxhimi i borxhit, papunësia e lartë dhe inflacioni, mungesa e konkurrencës dhe kufizimet e tjera strukturore të ekonomive. Banka Botërore thotë se rritja ekonomike për Shqipërinë gjatë 2012 pritet të ketë qënë 0,8 përqind, ndërsa parashikon që për vitin 2013 ajo të jetë 1 presje 6 përqind.

XS
SM
MD
LG