Lidhje

Banka e Shqipërisë bëri thirrje për të shmangur kreditë problematike në rritje


Banka e Shqipërisë bëri thirrje për të shmangur kreditë problematike në rritje
Banka e Shqipërisë bëri thirrje për të shmangur kreditë problematike në rritje

Banka Qendrore e Shqipërisë vlerësoi se sistemi financiar dhe bankar i vendit janë të qëndrueshëm, por sfida kryesore mbetet cilësia e kredive. Banka miratoi të mërkurën një deklaratë për të informuar institucionet dhe publikun mbi rreziqet e mundshme që kërcënojnë sistemin financiar të vendit.

Por Banka vërejti se në sektorin bankar po përkeqësohet cilësia e kredisë, sepse kreditë me probleme u rritën në 12.2 për qind të totalit. “Nga rritja e rrezikut të kredive, bankat ulën ritmin e dhënies së kredive të reja, ulën afatin mesatar të maturimit dhe ulën kreditë për konsum. Ndërsa fondet rezervë për mbrojtjen nga rreziku i kreditit janë rritur me rreth 20 për qind” - thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës.

Banka e Shqipërisë u bëri thirrje bankave të nivelit të dytë që të forcojnë mbikëqyrjen e cilësisë së kredive dhe të shtojnë fondet rezervë. Sipas saj, “bankat duhet të lokalizojnë sektorët dhe kredimarrësit e caktuar me probleme dhe nga ana tjetër, të zgjerojnë shumëllojshmërinë e portofolit të kredive”.

Nga studimet e ekspertëve mbi rezistencën e sektorit bankar, doli se gjendja financiare e këtij sektori është e mirë dhe përballon një keqësim të mundshëm të situatës, por nga ana tjetër “sektori bankar shfaq tani një ndjeshmëri më të madhe ndaj rrezikut të kreditit dhe lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit”.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi raportin e qëndrueshmërisë financiare të vendit, ku theksohet se është ulur shkalla e rrezikut të sistemit financiar e atij bankar, si nga ekonomia e brendshme e vendit ashtu edhe nga ekonomia rajonale dhe botërore.

Në mbledhjen e Këshillit mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë u vlerësuan si faktorë pozitivë kryesorë; ulja e deficitit buxhetor e tregtar, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, ulja e presioneve inflacioniste dhe e normave të interesit.

Banka deklaroi po ashtu se likuiditeti në tregun ndërbankar është i përshtatshëm për plotësimin e kërkesave afatshkurtra të bankave tregtare, ndërsa tregu financiar ka funksionuar normalisht.

Ekonomia shqiptare, sipas Bankës Qendrore, nuk pësoi presione negative nga ekonomia botërore, ku situata po përmirësohet me një rritje 4.7 për qind, dhe tregjet financiare janë më të qëndrueshme..

XS
SM
MD
LG