Lidhje

Banka e Shqipërisë ul normën e interesit për të nxitur ekonominë


Banka e Shqipërisë ul normën e interesit për të nxitur ekonominë

Banka e Shqipërisë ul normën e interesit për të nxitur ekonominë

Banka e Shqipërisë uli edhe me 0,25 për qind të tjera normën bazë të interesit në një përpjekje të re për të nxitur zhvillimin e ekonomisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi sot në një konferencë shtypi se ekonomia shqiptare mund të ndikohet nga zhvillimet ekonomike në rajon dhe në Evropë, por autoritetet dhe bizneset duhet të marrin masa që rritja ekonomike të jetë sa më e lartë dhe e pakompromentuar nga borxhet dhe deficitet. Guvernatori Fullani i bëri thirrje qeverisë që të ulë nivelin e borxheve të brendshme dhe deficitin buxhetor, si masë kryesore për rritje ekonomike gjatë këtij viti, krahas rritjes së prodhimit vendas dhe shtimit të eksporteve. Ai tha se gjithçka tjetër do të varet nga zgjidhja e krizës në eurozonë.

“Banka e Shqipërisë gjykon se ky është një hap i duhur në drejtim të ruajtjes së qëndrueshmërisë makroekonomike dhe të reduktimit të rrezikut në ekonomi. Ulja e deficitit buxhetor përgjatë vitit 2012 dhe e financimit të brendshëm të tij do të krijojë më shumë hapësirë për rritjen ekreditimit të sektorit privat në këtë periudhë në ekonomi”, tha zoti Fullani.

Reporterja ekonomike Aurora Sulçe thotë se me këtë ulje të re të normës bazë të interesit, Banka e Shqipërisë synon që të nxitë shtimin e kredive nga bankat tregtare për qytetarët dhe bizneset, sepse tashmë edhe bankat do të ulin normat e interesit.

“Një vendim i tillë do të ketë dy efekte pozitive për ekonominë; e para, konsumatorët do të orientohen drejt kredisë në lekë, duke shmangur kështu riskun që vjen nga kursi i këmbimit nëse do të merrnin një kredi në valutë të huaj. Së dyti, bërja më të lira e kredive do të thotë që të nxiten investimet private në rast se këto kredi do të merren nga biznesi, ose do të rritet konsumi nëse këto kredi do të merren nga qytetarët. Këto janë edhe dy fushat më problematike gjatë vitit të fundit”, tha gazetarja Sulçe.

Ndërsa Analisti Bardhi Sejdarasi thotë se fjalimi i guvernatorit Fullani ishte shumë kritik dhe realist dhe se optimizmi i përmbajtur i tij për vitin 2012 lidhet me faktin se eknomia shqiptare preket lehtë nga kriza botërore dhe kriza në eurozonë, megjithatë guvernatori bëri thirrje që të rritet konsumi dhe prodhimi, sepse kështu rritet punësimi; këto mund të bëjë vetë Shqiperia për të rritur ekonominë e saj, megjithë pasojat e jashtme.

“Kërkesa për të rritur prodhimin vendas, eksportet shqiptare, me qëllim që të kenë sa më shumë valutë për të rritur ekonominë, është një tendencë pozitive, që u duhet drejtuar politikave qeveritare. Guvernatori ka kërkuar në mënyrë të përsëritur është rritja e ekonomisë së vendit përmes rritjes së prodhimeve vendase, nxitjes së eksporteve shqiptare, me qëllim që tregut t’i afrohet sa më shumë valutë”, tha zoti Sejdarasi.

Parashikimet e Bankës së Shqipërisë janë për një rritje ekonomike nën potencialet reale të vendit, sepse bizneset dhe bankat shfaqin pasiguri për të ardhmen. Kërkesa për kredi është e ulët, por edhe oferta është e shtrënguar. Ekonomia shqiptare, sipas këtyre parashikimeve, do të rritet paralelisht me ato të vendeve partnere, dhe me tërheqjen më të madhe të investuesve të huaj, përmes një klime më të qetë dhe më të sigurtë ekonomike.

XS
SM
MD
LG