Lidhje

Pritet mbledhja e Këshillit Mbikqyrës të BSH


Në Shqipëri Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë pritet të mblidhet sot gjatë mbrëmjes në një seancë urgjente pas arrestimit të mbrëmshëm të guvernatorit Ardian . Burime nga Këshilli i thanë Zërit të Amerikës se mbledhja është thirrur nga zëvendës guvernatorja Elizabeta Gjoni e cila ka marrë tanimë kompetencat drejtuese. Këshilli Mbikqyrës është i vetmi institucion që mund të kërkojë edhe shkarkimin e guvernatorit.

Mbledhje urgjente e Keshillit të Bankës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Ligji për Bankën e Shqipërisë i njeh guvernatorit një pushtet shumë të gjerë. Ai është drejtuesi i Këshillit Mbikqyrës dhe njëkohësisht edhe drejtor ekzekutiv i Bankës. Arrestimi i mbrëmshëm i zotit Ardian Fullani krijon një vakuum i cili nuk mund të lihet i paplotësuar pasi rrezikon të krjojë probleme në veprimtarinë e përditshme të instituticionit kryesor financiar në vend. Duket se për këtë arsye zëvendës guvernatorja e parë Elizabeta Gjoni, e cila merr kompetencat e drejtimit të Bankës, ka thirrur , sipas burimeve nga Këshilli Mbikqyrës, mbledhjen urgjente të tij, e cila pritet të mbahet në orët e mbrëmjes, për të koordinuar masat që do të garantonin funksionimin normal, në mungesë të zotit Fullani.

Nuk dihet nëse pervec masave operative Këshilli do të dalë apo jo me një qëndrim mbi situatën e krijuar. Vetë Këshilli është vënë tanimë në një pozitë të vështirë. Tre javë më parë, anëtarët e tij refuzuan kërkesën e anëtares Ermelinda Meksi për shkarkimin e zotit Fullani. Edhe pas arrestimit, Këshilli mbetet i vetmi organ që mund të kërkojë shkarkimin e guvernatorit. As Qeveria dhe as parlamenti nuk mund të ndërhyjnë, pasi rastet e parashikuara për një veprim të tillë janë tejet të kufizuara. E vetmja hapësirë veprimi është ajo të cilën ligji ja njeh Këshillit Mbikqyrës në nenin 47 pika C i cili parashikon shkarkimin kur “gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cenuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë”. Mbetet për t’u parë nëse Këshilli do ta vlerësojë apo jo si cënim të interesave të Bankës atë cfarë ka ndodhur me guvernatorin.

I ndryshëm është rasti i Inspektores së Përgjithshme të Bankës Elivar Golemi, e cila emërohet dhe shkarkohet nga parlamenti. Ky i fundit mund ta ketë më të lehtë, pasi për të ka tanimë një kërkesë nga komisioni i Ekonomisë për nisjen e procedurave të shkarkimit. Arrestimi i mbrëmshëm duket se vetëm e përforcon këtë kërkesë.

Sinjalet nga politika për arrestimet e mbrëmshme kanë qenë të matura. “Mbështetje Prokuorisë dhe gjyqësorit për të hetuar deri në fund këtë skandal dhe për të vendosur të gjitha pikat mbi “I”. Natyrisht ne do të respketojmë vendimet e Drejtësisë”, deklaroi kryetari i parlamentit Ilir Meta. Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha foli për nevojën që procesi të mos ndikohet politikisht apo të shërbejë sic theksoi ai për vënien nën kontroll të Bankës nga ana e shumicës: “Çështjet e Drejtësisë janë çështje të Drejtësisë dhe duhet të mbeten të tilla. Politika nuk duhet të influencojë këtë proces dhe as ta motivojë, por duhet të ndjekë me përgjegjësi të madhe pasi interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve kërkojnë që ky proces të ketë ransparcë maksimale dhe një drejtësi të pandikuar. Dhe natyrisht një proces të pamotivuar nga frymëzimi oligark i dyshes Rama-Meta për të kapur të gjithë pushtetet dhe për të vënë nën kontroll politikën monetare e cila do të kishte pasoja katastrofale për vendin dhe qytetarët shqiptarë”.

Guvernatori Ardian Fullani dhe Inspektorja e Përgjithsme Elivar Golemi u arrestuan nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas prokurorisë janë të paktën 5 raste në të cilat zoti Fullani ka vepruar në shkelje të ligjit. Avokatët e dy figurave qëndrore të Bankës kanë deklaruar se do të kundërshtojnë vendimin. Të hënën do të zhvillohet seanca e parë për njohjen e masës së sigurisë por ka shmë pak gjasa që ajo të ndryshojë dhe avokatët do të duhet të shpresojnë pas ankimimit në Apel.

XS
SM
MD
LG