Lidhje

Shoqata e bankave kërkoi të forcohet përmbarimi


Mbi 20 për qind e kredive nuk kthehen rregullisht nëpër banka.

Shoqata e bankave kërkoi sot liberalizimin dhe privatizimin e zyrave përmbaruese për të mbledhur më mirë kreditë e pakthyera dhe pasuritë vëna si garanci për to. Kryetari shoqatës shqiptare të bankave, Sejan Pencabligil, tha sot në një konferencë për shëndetin e sistemit bankar se mbi 20 për qind e kredive nuk kthehen rregullisht nëpër banka, ndërsa përmbaruesit nuk veprojnë me forcën e duhur.
“Më shumë se 20 për qind e kredive nuk kthehen prapa. Një në pesë kredimarrës nuk po i kthen paratë e marra në sistemin bankar. Ky është një numër i jashtëzakonshëm. Si mund të kthehen këto kredi? Falë Zotit, këto kredi janë të mirëmbuluara me garanci. Duket e thjeshtë se mjafton që bankat të marrin garancitë e tyre. Por, jo” - tha zoti Pencabligil.

Ai theksoi se “për shkaqe ligjore dhe administrative, ne po ndeshim vështirësi të jashtëzakonshme për të zbatuar këto garanci. Përmbarimi nuk merret thellë me këto probleme dhe nuk është efikas. Kjo duhet të ishte një procedurë e thjeshtë. Ne kemi nevojë për një përmbarim të mirë në mënyrë që të mbështesim ekonominë dhe rimëkëmbjen e saj” - tha zoti Pencabligil.

Shoqata e bankave propozoi që për të rritur efikasitetin e përmbarimit bankar ato duhet që të privatizohen dhe të liberalizohen realisht zyrat e përmbarimit. “Formalisht ato janë private, - tha kryetari i shoqatës së bankave, - por çmimet e punës dhe pagat e përmbaruesve janë fikse me ligj. Kështu ata nuk janë të interesuar të kenë sukses ose jo. Ata janë privatë vetëm në letër, por në të vërtetë ata janë njëlloj si zyrat e vjetra të përmbarimit. Ne u paguajmë atyre çmimet e detyrueshme nga ligji dhe nuk e dimë nëse do të kenë sukses me përmbarimet apo jo”.

Zoti Pencabligil tha se kjo është një çështje kyçe për rimëkëmbjen ekonomike në shkallë kombëtare. Sipas tij, do të ishte më mirë për ekonominë që këto prona të lëvizin me çmim të rishikuar, sesa të rrinë të ngrira si pengje të kredive të pasuksesshme.

Të dhënat e fundit sipas shoqatës tregojnë se bankat japin shumë kredi, por nuk fitojnë aq shumë sa përflitet, për shkak të kredive të këqija. Në 12 muajt e fundit sistemi bankar u rrit me 13 për qind dhe hapi 200 vende pune në banka. Ndërkohë edhe libri i kredive u rrit po ashtu me 13 për qind. Pra, bankat dhanë kredi aq sa u rritën. Por, nga ana tjetër, të 16 bankat private në rrjet përfituan së bashku vetëm 5 milionë euro, ndërkohë që vetë klientët depozituan në banka 7 milionë e gjysmë euro.
XS
SM
MD
LG