Lidhje

Banka Qendrore dhe ekonomia amerikane


Ekspertët argumentojnë ndikimin që mund të kenë masat e Bankës Qendore amerikane tek nxitja e ekonomisë

Ekonomia amerikane vazhdon përpjekjet për t’u rimëkëmbur nga recesioni i viteve 2008 dhe 2009, më i rëndi që nga Depresioni i Madh i viteve 1930. Formuluesit e politikave në Bankën Qendrore të vendit, apo Rezerva Federale, takohen sot përsëri për të marrë një vendim në se duhen miratuar politika të reja në përpjekje për rimëkëmbjen ekonomike.

Ekonomia amerikane është më e madhja në botë, shpesh ajo shihet me zili nga vendet e ndryshme. Por rritja ekonomike e vendit kohët e fundit ka qenë tepër e ngadaltë. Në periudhën prill-qershor ekonomia u rrit vetëm 1,7 për qind, shumë pak krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Shtimi i vendeve të punës ka qenë shumë i vogël. Sipas një raporti të javës së kaluar, gjatë muajit gusht u shtuan vetëm 96 mijë vende pune. Më tepër se 12 milionë amerikanë ishin të papunë muajin e kaluar, 368 mijë vetë dolën nga forca e punës, duke hequr dorë nga kërkimi për punë.

Formuluesit e politikave në Rezervën Federale kanë vëzhguar prirjen e tregut të punës në ekonominë e dobët amerikane. Këtë javë, ata mund të marrin vendime për t’i dhënë një nxitje ekonomisë.

Një nga ekspertët financiarë në Shtetet e Bashkuara, profesori i ekonomisë Steve Fazzari, në Universitetin Washington të Saint Louisit, tha se ekonomia amerikane po has vështirësi në përparimin për daljen nga recesioni.

“Vazhdojmë të jemi në krizë. Nuk jemi duke krijuar vende të mjaftueshme pune, qoftë edhe në raport me rritjen e popullsisë...Në vitet 2008 dhe 2009 humbën shumë vende pune, dhe është shqetësuese që tani vazhdojmë të jemi në atë nivel”.

Banka Qendrore tashmë ka blerë aksione të ndryshme me vlerën e 3 trilionë dollarëve gjatë 4 viteve të fundit, me synimin për ta ndihmuar ekonominë amerikane. Formuluesit e politikave shpresonin që si reagim, bankat në mbarë vendin do të jepnin më tepër hua për bizneset, që ato të punësonin më shumë punonjës dhe që konsumatorët të shpenzojnë më tepër për prodhimet që u nevojiten.

Por megjithë këto masa, përparimi i ekonomisë amerikane vazhdon të jetë i vonuar.
Drejtori i Rezervës Federale Ben Bernanke tha muajin e kaluar se përbën shqetësim shtimi i vogël i vendeve të punës. Ai sugjeroi që institucioni që ai drejton mund të marrë masa të reja për fuqizimin e ekonomisë.

Por masat që mund të marrë një bankë qendrore nuk dihen me saktësi. Një prej tyre mund te jetë blerja e më tepër letrave me vlerë, ndoshta ato në fushën e huave të shtëpive. Një tjetër masë mund të jetë zgjerimi i periudhës për mbajtjen e nivelit të ulët të interesit përtej vitit 2014, që ishte parashikuar.

Eksperti i financave Fazzari thotë se ai pret që pas raportit aspak shpresëdhënës të javës së kaluar për papunësinë, Banka Qendrore do të përpiqet ta shtyjë nivelin afatgjatë të interesit, madje do ta ulë atë më tej.

“Pas raportit jo të mirë të papunësisë ka mundësi që Banka Qendrore do të marrë disa masa për uljen edhe më tej të interesit afatgjatë”.

Një tjetër ekspert i financave, profesori Rebel Cole i Universitetit DePaul të Chikagos, mendon se pas raportit per gjendjen e papunësisë, janë shanset me 50 për qind që Banka Qendrore do të miratojë politika të reja ekonomike. Por Cole thotë se ai nuk është i sigurtë në se blerja e letrave me vlerë nga tregu i shtëpive nga ana e Bankës, në se kjo do të ndodhte, do ta fuqizojë tregun e punës.

“Problemi është se për mendimin tim, niveli i interesave për huatë e shtëpive nuk është tepër i lartë. Prandaj, nuk shoh ndonjë mundësi që kjo ta ndihmojë tregun e punës”.

Për më tepër, profesori Cole thotë se amerikanët që përpiqen të blejnë shtëpi përballen me hetimin me rreptësi të financave të tyre personale, duke e vështirësuar më tej blerjen e shtëpive.

Në se formuluesit e politikave në Rezervën Federale miratojnë politika të reja, ose veprojnë, është e sigurtë se ato do të kenë tone kumbuese në peisazhin politik të SHBA. Gjendja e ekonomisë është qendrore në fushatën e zgjedhjeve presidenciale. Kanditati demokrat, Presidenti Obama dhe rivali i tij republikan, Mit Romni, flasin me shpoti në drejtim të njëri tjetrit kur është fjala se cili mund ta nxisë më tej ekonominë amerikane me një ritëm më të shpejtë.
XS
SM
MD
LG