Lidhje

Gati ankandi i bonove të thesarit


Banka e Shqipërisë njoftoi se ka organizuar pas pesë ditësh, më 20 gusht, një tjetër ankand për të shitur bono thesari në një shumë deri 15 milionë euro. Bonot me afat 12 mujor maturimi formalisht iu ofrohen gjithë qytetarëve, megjithatë për analistët e ekonomisë kjo praktikë njihet si një mënyrë që qeveria të marrë sërish borxhe nga qytetarët përmes pjesëmarrjes së bankave në këto ankande. Një muaj më parë po ashtu u shitën në ankand bono thesari sa 15 milionë euro.

Përqindja e interesit të bonove të thesarit ka rënë kohët e fundit, deri në 4,87 për qind për lekun, për shumë arsye: së pari - Banka e Shqipërisë ka ulur normën bazë të interesit; së dyti - qeveria ka rritur kërkesat për financime, dhe së treti - bankat e nivelit të dytë po shërbejnë një kreditim të ulët, por pas kësaj nuk kanë ku t'i përdorin tjetër paratë, përvecse në blerje të sigurta bonosh thesari nga shteti.

Shqipëria po kalon një situatë të vështirë me financat publike, ndërsa borxhi publik ka arritur sa 63 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria e ka hequr fare tavanin e borxhit, dhe ka mbërritur deri në 80 për qind të limitit që mund të marrë borxh brenda një viti.

Në gjysmën e parë të vitit borxhi është rritur 6 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Dy ankandet e javës së parë të korrikut, kur u shitën 250 milionë dollarë amerikanë bono thesari tërhoqën kritikat e qarqeve politike për thellimin e borxheve të qeverisë.

Një pjesë e ekspertëve mendojnë se bonot e thesarit janë borxhe të zakonshme të qeverisë, për të cilat është i interesuar edhe sistemi bankar, sepse kështu vë në lëvizje paranë e grumbulluar nga kursimet. Por këto borxhe të reja u shtohen borxheve të mëparshme të qeverisë, gjë që shihet me shqetësim nga analistë të tjerë të ekonomisë. Ato mendojnë se ekonomia nuk është e shëndetshme, bankat po blejnë borxhet e qeverisë me kursimet e qytetarëve, ndërsa konsumi tregtar dhe investime private kanë rënë. Analistët i tremben edhe një krize të mundshme borxhesh, sepse pjesa më e madhe e borxhit publik është një borxh i brendshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG