Lidhje

Banka e Shqipërisë: Ekonomia po rritet ngadalë


Guvernatori Fullani shpjegon faktorët e kësaj situate “ecuria e dobët e konsumit dhe e investimeve private dhe hapësirat e pakta për stimul fiskal”

Në Tiranë Banka Qendrore tha sot se aktiviteti ekonomik i vendit pritet të jetë i ulët. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, guverntatori I Bankës Ardian Fullani tha se rritja ekonomike është e kushtëzuar nga rënia e konsumit dhe e investimeve private si dhe nga mungesa e stimujve fiskal, si pasojë e politikave të ndjekura nga qeveria për të garantuar qëndrueshmërinë makroekonomike. Për shkak të një niveli shumë të ulët të të ardhurave, qeveria është detyruar të kufizojë shpenzimet dhe investimet

Ekonomia shqiptare nuk po jep ende shenja të forta gjallërimi. Ndonëse sipas Bankës së Shqipërisë pritet që ajo të vazhdojë të ketë një rritje positive sërish ritmet mbeten të ulta.“Aktiviteti ekonomik në vend pritet të mbetet i ulët, i kushtëzuar nga ecuria e dobët e konsumit dhe e investimeve private dhe nga hapësirat e pakta për stimul fiskal” deklaroi sot guvernatori Fullani



Rënia e konsumit ka kohë që ka dhënë shenja dhe sic shpjegoi edhe zotiFullani, kjo situatë rrezikon të sjelle efekte të tjera zinxhir: “Frenimi i konsumit si reagim ndaj pasigurisë mbi ecurinë ekonomike në të ardhmen, mund të shndërrohet në një spirale ndikimesh të ndërsjella midis treguesve makroekonomikë. Tkurrja e konsumit shoqërohet me rënie të kërkesës së brendshme, duke çuar në ngadalësim të rritjes ekonomike dhe në rënie të të ardhurave të familjeve në një kohë të dytë”.

Ndërkohë edhe investimet private mbeten sipas Bankës relativisht të ulta “të kushtëzuara nga kapacitetet e lira të prodhimit, nga pritjet për kërkesën finale për mallra dhe shërbime në të ardhmen, si dhe nga kujdesi i shtuar i bankave në kredidhënie”, shpjegoi guvernatori

Nga ana tjetër politikat e kujdesshme fiskale të qeverisë për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, kanë ulur ndikimin e sektorit publik, aq më tepër që autoritetet janë detyruar të kufizojnë ndjeshëm shpenzimet si dhe investimet publike, në kushtet e rënies të të ardhurave: “Të ardhurat fiskale u rritën me 3.7% gjatë tetë muajve të parë të vitit, duke regjistruar ritme historikisht të ulëta rritjeje”, deklaroi zoti Fullani.

Banka e Shqipëri është munduar të gjallërojë konsumin dhe të nxit aktivitetin ekonomik përmes disa ndërhyrjeve radhazi në uljen e normës së interesit e cila në muajin korrik shkoi në 4 përqind. Banka nuk e vlerësoi të nevojshme një ndërhyrje tjetër përsa kohë, konsideron se masata e saj nuk janë reflektuar ende plotësisht në tregje.
XS
SM
MD
LG