Lidhje

Shqipëri, ulet më tej norma bazë e interesit


Banka e Shqipërisë vendosi sot të ulë më tej, edhe me 0,25 për qind të tjera, normën bazë të interesit, deri në 3,5 për qind, në një tjetër përpjekje për të ndihmuar ekonominë e vendit në këtë periudhë të vështirë. Synimi i Këshillit Mbikëqyrës është që të nxitë kërkesat për investime, kreditim dhe konsum më të madh dhe të kthejë inflacionin brenda kufijve të parashikuar.

Sipas guvernatorit Ardian Fullani, në gjysmën e parë të vitit rritja ekonomike është e ngadaltë me 1,7 për qind, presione inflacioniste nuk ka, kërkesa për kredi dhe konsum është e ulët, gjë që pasqyon pasigurinë e investuesve në ekonominë e Shqipërisë dhe në vendet fqinje, që janë partnerë kryesorë.


“Megjithë treguesit makro-ekonomikë të qëndrueshëm dhe inflacionin e ulët. industria ka mjaft kapacitete prodhuese të lira e të pashfrytëzuara, industria, punësimi dhe pagat ranë, sektori i ndërtimit vijoi të tkurret, ndërsa industria dhe bujqësia u rritën në masë të pakonsiderueshme” - tha ai. Zoti Fullani thotë se “autoritetet duhet të mbajnë nën kontroll nivelin e borxhit publik, i cili deri tani është sa 63,3 për qind e prodhimit të brendshëm bruto”.


Banka Qendrore vlerësoi se u rritën me 12.2 për qind shpenzimet buxhetore dhe deficiti fiskal, ndaj është mëse i domosdoshëm një rregull fiskal transparent e i besueshëm, si rruga më e mirë për të disiplinuar politikat fiskale. Banka Qendrore tha se mirëpriste bashkëpunimin me FMN për rregullimet në ekonomi, pa iu bashkangjitur debateve mes partive politike për mënyrën e kontrollit të treguesve ekonomikë.


Qeveria dhe opozita po replikojnë prej disa muajsh për nivelin e borxhit publik dhe për investimet infrastrukturore, që janë kryer pa u shlyer faturat firmave ndërtuese. Banka Botërore ka bërë thirrje që këto borxhe të shlyhen, qoftë edhe duke sakrifikuar pjesë nga privatizimi i ndonjë ndërmarrjeje shtetërore.

XS
SM
MD
LG