Lidhje

BSH ul sërish normën e interesit


Norma zbret në 1.75 përqind, një tjetër minimum historik. Vendimi pas parashikimeve në ulje për rritjen e ekonomisë dhe aktivitetin kreditues

Banka e Shqipërisë vendosi sot të ulë sërish normën bazë të interesit, me 0,25 pikë përqindje, duke e zbritur atë drejt një tjetër minimum historik, në kuotën e 1.75 përqind. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, guvernatori Genti Sejko shpjegoi dhe arsyet që cuan në këtë vendim.

“Ekonomia shqiptare vazhdon të lëvizë në një trajektore pozitive zhvillimi. Megjithatë, kërkesa agregate, prodhimi dhe punësimi, janë poshtë niveleve të tyre potenciale dhe presionet afatmesme mbi inflacionin mbeten të dobëta. Rritja ekonomike dhe ecuria e kredisë kanë rezultuar në kahun e poshtëm” të pritshmërive, deklaroi guvernatori Sejko. Sipas tij “në ndryshim nga parashikimet paraardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv do të kërkojë një kohë disi më të gjatë. Gjithashtu, këto projeksione sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur më tej kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredisë”, theksoi ai.

Që prej vitit 2011, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë 13 herë duke ulur normën e interesit, nga të cilat tre herë gjatë vitit 2014, dhe një tjetër në shkurt të këtij viti, me synim nxitjen e kreditimit dhe të konsumit, të cilat pësuan ulje gjatë 2015. Banka vëren se aktiviteti kreditues “mbetet ende i zbehtë, sidomos në drejtim të financimit të biznesit dhe në segmentin e kredive në valutë. Rritja vjetore e portofolit të kredisë u reduktua rreth nivelit 1% në muajin gusht. Ky reduktim u ndikua si nga kërkesa e ulët e bizneseve për financim, ashtu edhe nga kushtet e shtrënguara të ofertës së bankave për kredi”

Guvernatori Sejko nënvizoi se “Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar ofron kohën e nevojshme për kryerjen e reformave strukturore dhe zbut koston e këtyre reformave në ekonomi, por ai nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i tyre. Për këtë arsye – shtoi ai - Këshilli Mbikëqyrës rithekson edhe një herë nevojën për vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë përmirësimin e qëndrueshëm të klimës së biznesit, rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike e financiare të vendit”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG