Lidhje

Bankat e shëndetshme, qytetarët shtojnë kursimet

  • Ilirian Agolli

Kreditimi shënoi një rritje vjetore prej 2 për qind, ndërsa depozitat e qytetarëve si kursime individuale në banka janë rritur mbi 7 për qind.

Sistemi bankar i Shqipërisë ka një rënie të lehtë të parave aktive, por në terma vjetorë bilanci i bankave është rritur me 6 për qind. Këto të dhëna më të fundit u publikuan nga shoqata e bankave në një raport të hartuar sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar.

Raporti më i fundit financiar i 16 bankave shqiptare të bashkuara në një organizatë thekson se kreditimi shënoi një rritje vjetore prej 2 për qind, ndërsa depozitat e qytetarëve si kursime individuale në banka janë rritur mbi 7 për qind. Ka disa vjet që depozitat individuale janë në rritje, kryesisht për shkak të maturisë së qytetarëve në këtë periudhë krize. Vlerësohet se këto para që vijnë në depozita janë në një pjesë të madhe ato shuma që largohen nga tregjet, ku konsumi ka rënë ndjeshëm.

Më shumë nga të tjerat janë rritur kreditë për kompanitë private me rreth 2,6 për qind, por po aq, rreth 2,8 për qind, kanë rënë gjatë vitit edhe depozitat e bizneseve. Shuma e përgjithshme e kredive të dhëna është afërsisht sa gjysma e parave aktive që ka aktualisht sistemi bankar.

Ekspertët e bankave vlerësojnë se “ngadalësimi i ritmeve të rritjes së portofolit të kredisë për biznese pasqyron ecurinë e dobët të aktivitetit ekonomik në vend si dhe pasiguritë për të ardhmen”. Ata shprehen në deklaratën e tyre të përbashkët si shoqatë bankare se po vihet re një rënie e kredive me probleme, megjithë ngadalësimin e zgjerimit të kredisë, ndërkohë që bankat mbeten të përfshira në plotësimin e nevojave për financim të sektorit privat.

Shoqata vlerësoi se sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar. Sipas tyre, mjaftueshmëria e kapitalit u rrit mbi 16 për qind, ndërsa depozitat e individëve vazhdojnë të rriten mbi 7 për qind. Këty dy tregues, pohojnë specialistët, konfirmojnë se bankat i kanë potencialet e nevojshme që të plotësojnë nevojat për financim të sektorit privat.

Ndërkaq Banka Qendrore u ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë që të shtojnë kreditimin për qytetarë dhe biznese për të mbështetur rritjen e konsumit të tyre dhe projektet për zhvillimin e biznesve, edhe pse në një periudhë jo të qetë krize ekonomike në eurozonë. Banka e Shqipërisë uli pak ditë më parë normën bazë të interesit për të lehtësuar nxjerrjen e më shumë kredive nga bankat private dhe për të ulur koston e kredive me përqindje të larta.

Megjithatë bankat po tregohen mjaft të kujdesshme dhe po i shtojnë elementet e sigurisë në procedurat e kreditimit, sepse, siç shprehen ata, përballë kredive të këqija dhe të vonuara Shqipëria ende nuk ka një sistem përmbarimor të fortë dhe as ka një treg të zhvilluar të pasurive që mbahen peng si garanci për kreditë nga bankat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG