Lidhje

Ban Ki-moon komenton për bisedimet siriane


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, thotë se qeveria e Sirisë dhe kundërshtarët e saj politikë duhet të jenë më seriozë dhe t’i shikojnë si urgjente përpjekjet e komunitetit ndërkombëtat për t’i dhënë fund konfliktit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, na informon se ranundi i tyre i parë i bisedimeve përfundoi të premten me pak përparim si t’u jepet fund luftimeve dhe si të shtohet hyrja e ndihmave humanitare në vend.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, tha se raundi i parë i bisedimeve siriane tregoi se përparimi do të jetë i vështirë dhe vetë procesi po ecën ngadalë, por të paktën ka filluar.

"Palët ndoshta ende luftojnë, por tani ato edhe po bisedojnë. Kjo është e vetmja shpresë për zgjidhjen politike”.

Kur bisedimet të rifillojnë më 10 shkurt, zoti Ban tha se qeveria e Presidentit Bashar al-Assad dhe kundërshtarët e saj duhet të vinë me një qendrim tjetër.

"Ata duhet të tregojnë një sens më të madh ndershmërie, si dhe serioziteti dhe urgjence. Negociatat nuk duhet të përdoren si taktikë për të shtyrë fundin e luftimeve. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë krizë”.

Zoti Ban dhe përfaqësuesi i posaçëm, Lakhdar Brahimi, u takuan të pemten vonë me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry dhe me Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, për të diskutuar mbi bisedimet. Ata janë në Munih për konferencën ndërkombëtare të sigurisë.

Zoti Ban tha se u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të përdorin ndikimin e tyre për të garantuar vazhdimin e procesit të paqes. Rusia është aleate e qeverisë së Damaskut, ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin kundërshtarët e zotit Assad.

Sekretari Kerry tha se është duke punuar me zotin Lavrov për ta mbajtur qeverinë e Assadit të angazhuar në procesin e paqes.

"Ka mjaft arsye dhe ne jemi të bindur që Assadi duhet të ketë një sens më të madh përgjegjshmërie dhe urgjence për të ardhur në tryezën e bisedimeve”.

Zoti Lavrov tha se po ushtrohet më shumë trysni ndaj Moskës që ajo të ushtrojë ndikimin e saj mbi Damaskun. Ai tha nëpërmjet përkthyesit, se Rusia nuk mund ta realizojë këtë e vetme nëse ata që mbështesin opozitën nuk bëjnë të njejtën gjë.

"Ne përditë po ushtrojmë trysni mbi qeverinë siriane. Ajo është në pozitë të vështirë. Ta bindësh një qeveri që është në luftë të veprojë ndryshe, është diçka shumë e vështirë. Ju e dini se çfarë dua të them”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se opozita politike në bisedime përbëhet nga përfaqësues të grupeve me pak mbështetje në terren. Duke folur nëpërmjet një përkthyesi tjetër, ai tha se çelësi i suksesit është që bisedimet të përfaqësojnë një spektër më të gjerë njerëzish.

"Të gjithë ata që kanë ndikim tek opozita, duhet të bëjnë ç’është e mundur që delegacionet pjesëmarrëse në negociata të përfaqësojnë gjithë shoqërinë siriane”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm, Lakhdar Brahimi, tha se është bërë një farë përparimi për të dërguar ndihma humanitare në kampin e refugjatëve Yarmouk në Damask, ku ndodhen mijëra palestinezë që kanë qënë banorë të Sirisë që para fillimit të konfliktit. Megjithatë, zoti Brahimi tha se nuk ka ndonjë të re për dërgimin e ndihmave në Homs, apo për shkëmbimin e robërve mes qeverisë siriane dhe kryengritësve. “Hendeku mes palëve mbetet i gjerë”, tha ai, “dhe nuk është e dobishme të pretendojmë të kundërtën”.
XS
SM
MD
LG