Lidhje

Banorë të Nju Jorkut vazhdojnë të reagojnë rreth projektit të xhamisë

  • Zëri Amerikës

Banorë të Nju Jorkut vazhdojnë të reagojnë rreth projektit të xhamisë

Banorë të Nju Jorkut vazhdojnë të reagojnë rreth projektit të xhamisë

Banorë të Nju Jorkut vazhdojnë të reagojnë në valën e polemikave që ka shkaktuar propozimi për ndërtimin e një xhamie pranë ish kullave binjake, vendi i sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Manhatanin e poshtëm që njihet edhe me emrin kuota zero. Reagimet vijnë pas komenteve që presidenti Obama bëri të premten dhe të shtunën rreth kësaj teme, duke thënë se e mbështeste këtë projekt.

Në fillim të këtij muaji, një agjenci e qytetit të Nju Jorkut i hapi rrugën ndërtimit të një qendre komuniteti, e cila përfshin një dhomë lutjesh, shumë pranë kuotës zero.

Presidenti Obama tha se si qytetar dhe si president beson se myslimanët kanë të drejtë të praktikojnë fenë e tyre si të gjithë njerëzit e tjerë në Amerikë. Dhe kjo, tha ai, përfshin të drejtën për të ndërtuar një objekt kulti në një pronë private në Manhatanin e poshtëm.

Shumë nga familjet e atyre që u vranë më 11 shtator kanë organizuar një fushatë për të mos e lejuar ndërtimin e këtij objekti, duke e quajtur këtë një tradhëti ndaj kujtimit të atyre që humbën jetën.

Fran Bonade është mes atyre që e kundërshtojnë projektin:

“Mendoj se ky është një poshtërim që u bëhet familjeve të të gjithë atyre që humbën jetën. Ne nuk humbëm njeri në familjen tonë por humbëm shumë miq prandaj na vjen shumë keq që shohim të bëhet një gjë e tillë. Ata mund ta ndërtojnë xhaminë, unë nuk e diskriminoj fenë, por jo këtu,” thotë zonja Bonade.

Mes atyre që e mbështesin projektin e xhamisë është Ansar Abdul Karim, banor i Nju Xhersit, i cili vjen çdo ditë në Manhatan për punë. Ai është mysliman dhe thotë se myslimanët nuk ishin thjesht ata që kryen sulmet por edhe viktima të tyre.

“Atë ditë u vranë edhe myslimanë. Unë e bëj këtë rrugë çdo ditë dhe atë ditë qëlloi që erdha pak më herët, përndryshe edhe unë do të kisha qenë në ato gërmadha.”

Guvernatori i Nju Jorkut, Majkëll Blumberg e ka mbështetur me forcë ndërtimin e qendrës së komunitetit, ashtu si edhe shumë organizata fetare të qytetit. Por sipas një ankete të fundit, 53 përqind e njujorkasve e kundërshtojnë projektin.

XS
SM
MD
LG