Lidhje

Profil i kandidatit demokrat, Barack Obama


Në zgjedhjet e 2008-s zoti Obama hyri në histori dhe këtë vit ai synon të përsërisë të njëjtën gjë

Sonte Partia Demokrate do të emërojë zyrtarisht Presidentin Barack Obama si kandidatin e saj për një mandat të dytë presidencial. Në zgjedhjet e vitit 2008 zoti Obama hyri në histori dhe këtë vit ai synon të përsërisë të njëjtën gjë.

Para 4 vjetësh, Barack Obama u zgjodh presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara.
Partia Demokrate e emëroi atë në një kuvend tepër të politizuar, që u përqëndrua në pakënaqësinë e publikut me ekonominë në vështirësi të vendit. Zoti Obama përfitoi nga kjo gjendje me moton e tij, “Ndryshime tek të cilat mund të besojmë”.

Gjatë gati 4 vjetëve të fundit të Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë ekonomia është përmirësuar, por jo aq sa kishin shpresuar shumë njerëz. Disa ekspertë politikë thonë se zoti Obama ka mësuar ndryshimin e madh që ekziston mes fushatës dhe qeverisjes.

Jennifer Lawless drejton Institutin e Grave dhe të Politikave në Universitetin Amerikan.

“Shumë prej premtimeve të tij vareshin nga ideja se në Uashington do të bëheshin përpjekje ndërpartiake. Dhe menjëherë pasi John Boehner u zgjodh Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve u pa qartë se objektivi numër një i republikanëve ishte që përpjekje të tilla të mos bëheshin”.

Një shembull i tillë ishte projektligji për emigrantët në bazë të të cilit do t’u jepej shtetësia emigrantëve që kishin ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshën e fëmijërisë. Ky akt u mbështet nga presidenti, por nuk u miratua kurrë nga Kongresi.

Në qershor, Presidenti Obama njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalnin përkohësisht dëbimin e emigrantëve që kualifikoheshin në bazë të projekt-ligjit të imigracionit.

Ndërkohë, administrata e tij ka dëbuar më shumë emigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.

Presidenti Obama mbajti premtimin e fushatës për të reformuar kujdesin shëndetësor të vendit. Ndërsa ky ligj ngjalli shumë debate, Gjykata e Lartë, e cila diskutoi kushtetueshmërinë e tij, i mbështeti dispozitat kryesore të ligjit.

Presidenti kërkoi dhe Kongresi miratoi një paketë prej 787 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë dhe më pas zbatoi një program shpëtimi për kompanitë e automobilëve General Motors dhe Chrysler.

Në maj të vitit 2011, forcat speciale vranë në Pakistan Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Presidenti tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, shtoi numrin e trupave në Afganistan dhe nënshkroi një traktat të ri për kontrollin e armëve me Rusinë.

Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai është gjithashtu presidenti i parë në detyrë që mbështet ligjësimin e martesës mes homoseksualëve.

Sipas anketave të opinionit publik, zoti Obama gëzon mbështetje për sa i përket karakterit të tij, por amerikanët mbështesin rivalin e tij, republikanin Mitt Romney si kandidarti më i aftë për të përmirësuar ekonominë e vendit.

Barack Obama ka lindur në Hawaii në vitin 1961.

Ai dhe gruaja e tij Michelle kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.

XS
SM
MD
LG