Lidhje

Tiranë: ashpërsohen debatet mbi importimin e mbetjeve


Në Tiranë, opozita i kërkoi parlamentit miratimin e një referendumi për importin e mbetjeve.

Opozita kërkon referendum për mbetjet
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:36 0:00

Në javë më parë, parlamenti miratoi ligjin e ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Ligji ktheu debatet për rrezikun e ndotjeve të rënda në mjedis dhe mblodhi sërish në protesta veprimtarët e mjedisit.

Por përfaqësuesit e industrive ricikluese pohojnë se importi dhe përpunimi i mbetjeve nuk ka rreziqe.

Partia Demokratike e opozitës i paraqiti sot parlamentit kërkesën e 28 deputetëve për të zhvilluar një referendum lidhur me importin e mbetjeve.

Në këtë kërkesë, Partia Demokratike vlerëson se lejimi i importit për lloje të caktuara të mbetjeve rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, krijon mundësi për importim të mbetjeve të rrezikshme, bie ndesh me objektivat kombëtare në fushën e ekonomisë dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Opozita ka vendosur t'u bashkohet protestave të shoqërisë civile kundër ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Jashtë sallës së parlamentit, një debat i gjerë po zhvillohet mes qarqeve të biznesit dhe shoqërisë civile mbi ligjin e sapomiratuar, nëse lejimi i importit të mbetjeve për riciklim rrezikon apo jo banorë, ndot apo jo mjedisin shqiptar.

Veprimtarët e mjedisit pohojnë se fabrikave u mjaftojnë mbetjet e vendit për riciklim.

“Nëse sot përpunohet vetëm 17 për qind e mbetjeve, dhe nëse këto shkojnë në 34 për qind, gjë që është normale të arrihen, sepse vende të tjera e kanë 60-80 për qind, atëherë industria e riciklimit ka rrezik të mos i përballojë dot këto kapacitete vendase” - thotë Lavdosh Ferunaj, përfaqësues i Aleancës Kundër Importit të Plehrave.

Por shoqata e industrive ricikluese hedh poshtë si të pavërteta komentet e shoqërisë civile për ndotjen e mjedisit nga riciklimi.

Sipas zotit Bardhyl Baltëza, problemi i vërtetë është mos-zbatimi i ligjit nga pushteti vendor, i cili nuk ndan mbetjet urbane dhe nuk i bën gati për riciklim, ndërsa shumë fabrika janë në prag të falimentit.

“Ne sot marrim 15-20 për qind të mbetjeve në Shqipëri dhe e ricklojmë. Sikur këto t'i hedhim në rrugë nga mbyllja e fabrikave? Ne kemi oferta nga fqinjët tanë t'i transferojmë bizneset atje. Dhe si po duket, ashtu do të vijë puna; dikush do të falimentojë, dikush do të eksportojë biznesin jashtë. Po mbetjet që do të mbesim pa ricikluar këtu ku do shkojnë? Imagjinoni se ç'do të thotë 1 mijë ton plastikë në Tiranë që ne heqim dhe riciklojmë në muaj dhe që mund të mos hiqen më” - thotë Bardhyl Baltëza, kryetar i shoqatës së industrive ricikluese.

Nga ana tjetër, veprimtarët e mjedisit pohojnë se sado të mëdha mund të jenë fitimet e fabrikave të riciklimit fatura e dëmit të tyre në shëndetin e qytetarëve dhe mbi mjedisin është disa herë më e madhe për institucionet e shëndetit publik dhe shpesh ndotja e ujërave dhe dherave është e pakthyeshme.

“Kostoja e dëmeve mbi shëndetin është e madhe dhe afatgjatë. Nuk është një kosto që shfaqet shpejt, por shfaqet në vitet që vijnë. Por politika dritëshkurtër injoron kostot që vijnë pas 3-4 legjislaturash, por është e fokusuar vetëm në atë interes të çastit, që mund të kenë një grup shumë i vogël njerëzish” - thotë zoti Ferunaj.

Ndërsa shoqata e industrive ricikluese pohon se rreziku i ndotjes nga importi i mbetjeve është thuajse zero, sepse fabrikat ndjekin standartet në transport dhe përpunim, numri i pikave kufitare të hyrjes dhe i firmave, që importojnë është i kufizuar.

Sipas zotit Baltëza, problemi kryesor është mos-bashkëpunimi i bashkive me firmat ricikluese për të bërë ndarjen e mbetjeve urbane sa më pranë komunitetit.

“Ne kemi investuar industri në një vend që mendojmë se është vend i lirë dhe me ekonomi tregu. Por me mbylljen e rrugëve të importit në 2013, ndodhi tjetra që njerëzit dhe ndërmarrjet që mbledhin mbetjet për riciklim, këto kanë sot parajsën, sepse këto janë në një treg monopol. Shumë prej këtyre ndërmarrjeve nuk na i japin ne mbetjet për fabrikat vendase, por i eksportojnë në fabrika jashtë vendit me kosto shumë më të lartë” - thotë Baltëza.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave, një grup organizatash joqeveritare, shpreson që presidenti Nishani ta kthejë ligjin në parlament dhe që aty votat të pakësohen më tej në një votim të dytë dhe që ligji të rrëzohet.

Ndërsa biznesmenët janë në pritje të hyrjes së ligjit në fuqi për të provuar pohimet e tyre.

XS
SM
MD
LG