Lidhje

Baronesha Ashton u kërkon politikanëve shqiptarë të mos rrezikojnë jetën e qytetarëve


Baronesha Ashton u kërkon politikanëve shqiptarë të mos rrezikojnë jetën e qytetarëve

Baronesha Ashton u kërkon politikanëve shqiptarë të mos rrezikojnë jetën e qytetarëve

Dëgjoni kronikën:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numëroi mbrëmë deri në mesnatë 60 fletë votimi nga 20 kuti, sipas tij të panumëruara, sepse ishin hedhur dhe lënë mënjanë për shkak të mospërputhjes së ngjyrës me fletët e tjera. Nga këto fletë kandidati Lulzim Basha ka marrë 46 vota dhe kandidati Edi Rama ka marrë 14 vota. Po të shtohen edhe 10 vota më shumë që kandidati Rama ka nga numërimi i mëparshëm, diferenca e përkohshme midis kandidatëve është 22 vota në favor të kandidatit Basha.

Kur mbetën për t’u numëruar edhe 40 kuti të tjera, KQZ ndërpreu numërimin e votave në mesnatë, dhe do të rinisë këtë mëngjes në orën 10. Komisioni Qendror vazhdoi punën me argumentin se fletët që po numëroheshin tani nuk ishin numëruar në komisionet zonale për shkak të mospërputhjes së ngjyrës së fletëve në kutinë e gabuar. KQZ tha po ashtu se aktualisht po funksiononte si një komision zonal për Tiranën, sepse ligjvënësit nuk e kanë parashikuar një strukturë të tillë në Kodin Zgjedhor.

Kjo procedurë është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste me argumentin se ligji nuk parashikon numërimin e fletëve në kutitë e gabuara, por ato thjesht duhen quajtur si të pavlefshme. Por komisionerët e djathtë që mbetën në sallën e mbledhjes shpjeguan se ato janë vota të rregullta për kandidatët Basha dhe Rama, por kanë ngelur pa numëruara sepse janë futur gabim në kuti me ngjyra të tjera.

Partia Socialiste e opozitës e ka quajtur këtë procedurë si një vjedhje të fitores së saj me 10 vota nga numërimi i komisioneve zonale. Drejtuesit e Partisë Socialiste zhvilluan në mbrëmje një tjetër mbledhje ku u vendos që të organizohen protesta në qytete të ndryshme të vendit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kandidat për bashkinë e Tiranës, deklaroi për shtypin se opozita do të ndjekë rrugën e revoltave kundër kësaj vjedhjeje, që sipas tij po bën KQZ.

Edhe kandidati Lulzim Basha dha një konferencë shtypi në mbrëmje, ku theksoi se kërkonte numërimin e çdo vote të panumëruar dhe se do të njohë çdo rezultat të zgjedhjeve vendore. Zoti Basha tha se kryetari socialist Rama po kërkon që disa vota të rregullta të qytetarëve që mbetën pa numëruar të mos lexohen dhe të mos e shohin dritën e diellit.

Reagimet e ndërkombëtarëve po ashtu vazhduan në mbrëmje. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Catherine Ashton, deklaroi se Brukseli po vëzhgon numërimin e votave, në pritje të rezultateve zyrtare para se të bëjë një vlerësim përfundimtar. Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian, Ashton, deklaroi se “rezultati i ngushtë në zgjedhjet bashkiake në Tiranë do të thotë që të dyja palët duhet të komunikojnë, të kapërcejnë ndryshimet dhe të gjejnë zgjidhje”.

Duke iu referuar ngjarjeve të djeshme jashtë KQZ-së, baronesha Ashton tha se “zhvillimet e sotme treguan brishtësinë e situatës politike”, ndaj ajo u bëri thirrje “të gjithë udhëheqësve politikë në Shqipëri dhe në Tiranë të mbështesin përmbylljen e procesit zgjedhor në mënyrë paqësore, konstruktive dhe me vështrim nga e ardhmja. Kjo duhet bërë brenda institucioneve ekzistuese dhe kuadrit ligjor, rregullave dhe praktikave ekzistuese. Të gjithë udheheqësit politikë mbajnë përgjegjësinë e veçantë e të mos vënit të jetës së qytetarëve në rrezik” - tha përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

XS
SM
MD
LG