Lidhje

Barroso: Të vazhdojnë ndihmat për vendet më të varfëra të BE


Presidenti i Komisionit Evropian, Zhose Manuel Barroso tha sot se vendet më të varfëra evropiane duhet të luftojnë më shumë për të siguruar ndihmat e zhvillimit për vitet në vazhdim, të cilat po vështirësohen gjithnjë e më shumë nga vendet më të mëdha donatore të BE-së. Zoti Barroso u takua në Bratislavë me një numër kryeministrash, shumica nga vendet më të varfëra të bllokut.

Vendet më të varfëra dhe Komisioni Evropian do të përplasen me Gjermaninë, Britaninë dhe një numër vendesh të tjera që kontribuojnë pjesën më të madhe të buxhetit të BE-së, të cilat përveç mbajtjes së barrës më të madhe të paketave të krizës së eurozonës, kanë bërë fushatë për shkurtimin e projekt-buxhetit me më shumë se 10 për qind.

“Kam besim se zërat e vendeve anëtare evropiane, që do të vijnë sot nga Bratislava do të jenë mjaft të fuqishëm për t’u dëgjuar gjatë përcaktimit të shifrave përfundimtare të buxhetit,” tha kryeminisri sllovak, Robert Fico gjatë një konference shtypi.

“Vendet më të pasura duhet të bien dakord të vazhdojnë politikat ambicioze të krizës për të mbështetur rajonet më të varfëra të Evropës. Ato duhet të tregojnë angazhimin e tyre. Kjo është pjesa e marrëveshjes që po u kërkojmë vendeve donatore” u tha gazetarëve zoti Barroso.

Subvencionet e BE-së për projektet e infrastrukturës kanë qënë pozitive për vendet e reja dhe të varfëra anëtare, megjithëse vërshimi i fondeve është ndikuar nga shpërdorimet e mëdha si dhe nga mungesa e fondeve nga Bashkimi Evropian.

Tavani buxhetor i BE-së, i financuar nga kontributet e vendeve anëtare, për periudhën 2007-2013 është 925 miliardë euro, baraz me 1.2 për qind të të ardhurave të përgjithshme kombëtare të BE-së. Për periudhën e ardhshme buxhetore 2014-2020, projekt-buxheti i Komisionit Evropian është 987 miliardë euro, ose 1.03 për qind të të ardhurave të përgjithshme kombëtare të BE-së.

Grupi i vendeve kryesore donatore ka propozuar një shkurtim të buxhetit prej 100 miliardë eurosh. Bashkimi Evropian do të debatojë propozimet buxhetore gjatë një takimi të veçantë të nivelit të lartë, që do të zhvillohet më 22 dhe 23 nëntor, me synimin që bisedimet të përfundojnë deri në fund të vitit.
XS
SM
MD
LG