Lidhje

Barroso: Është koha për vendime urgjente

  • Zëri Amerikës

Barroso: Është koha për vendime urgjente

Barroso: Është koha për vendime urgjente

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhose Manuel Barroso, thotë se është koha të merren vendime urgjente për të zgjidhur krizën e borxhit në Evropë. Zoti Barroso u bëri thirrje udhëheqësve të biznesit të mbështesin një plan të gjerë për çështjen e borxhit në eurozonë, e cila po zvarritet prej afro dy vitesh.

Në komentet që bëri në Bruksel gjatë një konference të organizuar nga Instituti Miqtë e Evropës, Zoti Barroso tha se fondi i përhershëm për shpëtimin financiar duhet të hyjë në fuqi nga mesi i 2012-s, një vit përpara afatit.
Ai bëri thirrje gjithashtu për "më shumë integrim, më shumë disiplinë dhe zbatimin e plotë të asaj për të cilën është rënë dakord", në mënyrë që eurozona të gjejë një rrugëdalje nga kriza.

"Kemi vendime që mund t’i marrim tani, dhe, kur them tani, e kam fjalën për tani," tha zoti Barroso duke folur përpara udhëheqësve të biznesit dhe hartuesve të politikave në Bruksel.

Një pjesë e rëndësishme e planit kërkon që bankat më të mëdha të Evropës të krijojnë kapitale prej miliarda eurosh për t’u bërë ballë trazirave të tregut dhe krizave të borxhit.
Ekzekutivi i BE-së shpreson se krerët e bllokut 27-vendesh do të mbështesin sugjerimet e tij në një takim të rëndësishëm të nivelit të lartë më 23 tetor, që zyrtarët besojnë se mund të jetë shansi i tyre i fundit për të zgjidhur krizën e borxhit para se ajo të shpërthejë.

Kryeministri grek Jorgo Papandreu ishte sot në Bruksel për takime me Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe me zotin Zhan-Klod Junker, i cili kryeson mbledhjet e rregullta të ministrave të financave të eurozonës. Kryeministri grek po përpiqet të sigurojë tregjet në lidhje me angazhimin e vendit të tij për reformat ekonomike.

Vizita bëhet ndërkohë që në Greqi, masat e ashpra të vendosura nga qeveria janë duke u përballur me greva të reja.

Punonjësit e kompanisë shtetërore energjitike pushtuan sot një ndërtesë të kompanisë për të mos lejuar dërgimin e faturave të energjisë pasi ato përfshijnë një taksë të re që shumë njerëz thonë se nuk mund ta përballojnë.

Qeveria ka kërcënuar të ndërpresë të energjisë për ata që nuk paguajnë. Po sot, transporti publik në Athinë u paralizua përsëri për shkak të një greve 48-orëshe kundër masave shtrënguese të qeverisë.

Greqia po përpiqet të kualifikohet për një hua ndërkombëtare shpëtimi prej 151 miliard dollarësh që do të parandalonte falimentimin e saj financiar.

Ministri i Financave, Evangelos Venizelos thotë se grevat e përsëritura janë duke krijuar dyshime te kreditorët ndërkombëtarë se qeveria mund të mos jetë e aftë për të arritur objektivat e saj financiare, gjë që mund të çojë në masa të tjera shtrënguese.

XS
SM
MD
LG