Lidhje

Barroso në Prishtinë: Kosova ka të ardhme evropiane


Barroso në Prishtinë: Kosova ka të ardhme evropiane

Barroso në Prishtinë: Kosova ka të ardhme evropiane

Presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso, tha sot në Prishtinë se Kosova ka të ardhme evropiane, por për këtë duhet të përmbushë reformat e nevojshme, përfshirë sundimin e ligjit. Duke i siguruar zyrtarët e lartë të Kosovës për mbështetjen e Komisionit Evropian, ai u bëri thirrje edhe për vazhdim të angazhimit në mënyrë konstruktive në bisedimet me Beogradin.

Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, bëri thirrje për reforma të thella në Kosovë, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në funksion të përmbushjes së synimit të saj për integrim në Bashkimin Evropian. Ai i bëri këto komente gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ku u takua me udhëheqësit më të lartë të vendit, të cilët i siguroi për mbështetjen e Komisionit Evropian për rrugën e Kosovës drejt Evropës.

Qëllimi i vizitës sime është i qartë. Jam këtu për të që të konfirmojë përkushtimin e fuqishëm për ardhmërinë evropiane të Kosovës”, tha zoti Barroso, duke nënvizuar se Kosova duhet të bëjë pjesën e saj të punës në rrugëtimin e saj evropian.

Kosova duhet të vazhdojë reformat e saj, me përkushtim, përgjegjësi politike dhe në frymën e kompromisit. Duhet më shumë punë për forcimin e sundimit të ligjit, administratës publike, t’i jap shtysë zhvillimit shoqëror dhe ekonomik dhe të zhvillojë raporte të mira fqinjësore”.

Zoti Barroso erdhi në Prishtinë nga Beogradi, ku mes tjerash, kishte vënë theksin edhe tek nevoja që të dyja palët të gjejnë zgjidhje për çështjet e përbashkëta, në kuadër të bisedimeve që tashmë po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

I bëj thirrje Kosovës që të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive në bisedimet me Beogradin”, tha zoti Barroso, duke nënvizuar se “është koha që politikanët e të dyja palëve të punojnë së bashku dhe të gjejnë zgjidhje për vështirësitë praktike me të cilat përballen qytetarët e të dyja palëve në jetën e tyre të përditshme”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi zyrtarin e lartë se Prishtina do të punojë për integrimet evropiane të Kosovës dhe rajonit.

Do të vazhdojmë të kemi bashkëpunim të mirë dhe të shkëlqyeshëm me të gjithë fqinjët edhe me Maqedoninë, Shqipërinë e Malin e Zi e gjithashtu besojmë edhe në dialogun që do të rezultojë me sukses konkret në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë në përputhshmëri me standardet e vlerat evropiane dhe me zgjidhjet evropiane. Ne nuk jemi vendet e vetme qe kemi pasur konflikt, por që kanë dialog dhe besojmë në të ardhme të përbashkët, që do të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së”, tha kryeministri Thaci.

Në fund të këtyre bisedimeve, Serbia pret të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa edhe Kosova synon të afrohet më shumë më këto struktura, duke përfshirë edhe liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët e saj, meqë është vendi i vetëm në Evropën Juglindore që ka mbetur jashtë këtij procesi. Janë edhe pesë vende nga Bashkimi Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën duke u shndërruar kësisoj në njërën nga pengesat kryesore të afrimit të saj me strukturat euroatlantike.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG